Nën organizim të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa dhe Zyrës së Kryetarit, në Gjilan është mbajtur të mërkurën dëgjimi publik për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht subvencionim të pagës prej 300 euro për tetë muajt e këtij viti (maj – dhjetor), për 20 persona.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, drejtorët komunalë, Riad Rashiti, Aurorë Osmani e Enver Shabani, sikurse edhe përfaqësues të OJQ-ve dhe personat me aftësi të kufizuara.
“Kjo është një nismë shumë e mirë dhe ne e kemi menduar që të mos iu bëjmë barrë bizneseve për këto punësime të përkohshme, prandaj edhe e kemi marrë përsipër që pagat t’i paguajmë ne si Komunë, ndërkaq bizneset të ofrojnë vendin e punës, ku edhe mund të merret edhe përvoja e punës”, ka thënë gjatë adresimit në këtë dëgjim publik, kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Ai tha se me disa prej bizneseve që ka biseduar, ka marrë konfirmimin se janë të gatshëm që t’i punësojnë këta persona, madje edhe me ngritje të pagës që ua siguron Komuna.
“E mira është që si praktikë duhet të fillojmë këtë vit, për t’u përmirësuar edhe më shumë në vitet e ardhshme në këtë drejtim”, është shprehur kreu i Gjilanit.
Në këtë takim kanë kontribuar me diskutime edhe nënkryetarja Morina-Bunjaku, drejtori për Buxhet dhe Financa, Riad Rashiti, përfaqësues të shoqatave që trajtojnë personat me aftësi të kufizuara, Fatmir Shurdhani
(Handikos), Bajram Spahiu (Shoqata e të Verbërve), Miran Xhelili (Down Sindome Kosova) e të tjerë.
Ndryshe, javë më parë Komuna e Gjilanit ka ndarë 50 mijë euro për të përkrahur personat me aftësi të kufizuar, përkatësisht subvencionimin e pagës mujore me nga 300 euro, për 20 persona, për tetë muajt e këtij viti. /2LONLINE/