“Duke marr parasysh rëndësinë e planifikimit të mirëfilltë të buxhetit komunal, i ftojm qytetarët të marrin pjesë në dëgjimet publike që do të organizohen prej datës 16 deri 25 gusht 2022, sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të komunës dhe në mediat lokale të Gjilanit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.
Më tej thuhet:
Këto dëgjime nuk do të mbahen vetëm sa për të plotësuar një aspekt ligjor, por vërtet do të merren parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për projektet me prioritet nëpër lagjet dhe fshatrat e Gjilanit, në bazë të cilave pastaj do të futen dhe renditen në listen e projekteve që do të realizohen në vitin 2023. Problemet me të cilat përballen qytetarët, mund të zgjidhen më lehtë dhe më shpejtë kur në to marrin pjesë drejtëpërdrejtë edhe vetë qytetarët përmes angazhimit dhe kontributit bashkë me institucionet komunale.
Dëgjimi i parë publik do të mbahet me gratë e Gjilanit, më datë 16 gusht (e marte) prej orës 14:00 në sallën e Kuvendit Komunal. Gratë duhet dhe do të jenë pjesë e barabartë e vendimarrjes për planifikimin e buxhetit 2023 dhe në caktimin e prioriteteve të investimeve kapitale, për ndarjen e subvencioneve si dhe për kategoritë tjera ekonomike.
Pjesëmarrja e barabartë e gruas në planifikim dhe shpenzim të buxhetit komunal, rrit përgjegjshmërinë dhe transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin, ulë ndjeshëm nivelin e keqpërdorimeve dhe shton besimin në punën e institucioneve komunale.
Përmes këtyre 17 dëgjimeve publike, me kategori dhe komunitete të ndryshme të shoqërisë tonë, përveç që synojmë një planifikim të mirë buxhetor, duam të rrisim besimin qytetarë se ata janë dhe mund të ndikojnë dhe kontribuojnë në hartimin e politikave zhvillimore për komunën e tyre. /2LONLINE/