Komuna e Bujanocit ka nënshkruar Kontratën për alokimin e fondeve për vetqeverisjet lokale për të rritur efikasitetin e energjisë për banesat, shtëpitë private dhe apartamentet, kështu thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e komunës së Bujanocit në faqen zyrtare.
Ky është njoftimi i plotë:
KOMUNA E BUJANOCIT PËRFITON FONDE NGA PROGRAMI PËR ZVOGLIMIN E KONSUMIT TË ENERGJISË
Komuna e Bujanocit, sipas fondeve të aprovuara nga ftesa publike e Ministrisë së Minierave dhe Energjisë, sot nënshkroi Kontratën për alokimin e fondeve për vetqeverisjet lokale për të rritur efikasitetin e energjisë për banesat, shtëpitë private dhe apartamentet.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Minierave dhe Energjisë, Prof. Dr. Zorana Mihajloviq, deklaroi në Kraljevë se nënshkrimi dhe lidhja e kontratës për alokimin e fondeve vetqeverisjeve lokale për të rritur efikasitetin e energjisë është fillimi i realizimit të qëllimit nacional për zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nxehtësisë.
Thirrja publike ka zgjatur një muaj, dhe të gjitha kriteret e nevojshme u përmbushën nga 67 vetqeverisje lokale, përfshirë Komunën e Bujanocit.
Thirrja e parë publike u drejtohet kompanive që do të duhet të plotësojnë kushtet, pra që garantojnë çmimin, afatet dhe cilësinë. Afati i fundit që komuna mund të shpallë thirrjen publike për kompanitë është 10 korrik. Hapi tjetër është thirrja publike për qytetarët që janë të interesuar në këtë projekt.
Në emër të Komunës së Bujanocit, Marrëveshja u nënshkrua nga kryeshefja e Departamentit për Investime dhe Zhvillim, znj. Fazila Azemović.
BURIMI: Titulli.com