Udhëheqësia e Komunës së Bujanocit nga dita e djeshme ka nisur fushatën e radhës të presionit ndaj portalit informativ Titulli.com, duke cenzuruar këtë medium me bllokim të adresës së saj në godinën e administratës komunale.
Pas presioneve ndaj mediumit Titulli si dhe bllokimit të informacionit me interes për publikun, nga dita e djeshme portal informativ Titulli.com është duke u përballur me pengesën e radhës edhe ate me bllokimin e adresës www.titulli.com që të hapet në rrjetin e internetit të administratës së Komunës së Bujanocit.
Rastin sot në orët e mëngjesit e kanë konfirmuar punëtorët e kësaj komune, të cilët vërtetojnë se në kompjuterët e tyre mund të hapin adresat e portaleve, lajmet e të cilave i shkojnë për shtati pushtetit, ndërsa portal informativ Titulli.com, i cili edhe pse është në funksion 24 orë, nuk mund të hapet në kompjuterët e administratës së kësaj komune.
Ky cenzurim kalon çdo kufi të udhëheqësisë së kësaj komune e cila me çdo kusht mundohet të bllokojë qasjen e lirë të qytetarëve në informimin e saktë, i cili edhe pse si duket nuk i pëlqen drejtuesve të komunës, nuk guxon të shkelë mbi të drejtën e informimit.
Portali informativ Titulli.com përveç që do të informojë faktorët relevant vendor dhe ndërkombëtarë për këtë cenzurim, njëherit do të ndjekë rastin nga afër dhe do të kërkojë të drejtën edhe në organet hetuese dhe të drejtësisë.