Liverpooli është favorit, me 65 për qind mundësi, për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve të shtunën në mbrëmje, kur do të përballet me Tottenhamin në finalen e këtij edicioni, që zhvillohet në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”.
Sipas superkompjuterit të The Mirror, Liverpooli ka 65 për qind mundësi të fitojë në këtë finale, ndërsa Tottenhami 35 për qind. Golashënues vendimtar pritet të jetë Mohamed Salah (40 për qind mundësi) dhe Harry Kane (33 për qind mundësi).
Metoda e fitores:
Liverpooli brenda kohës së rregullt: 55%
Tottenhami brenda kohës së rregullt: 23%
Liverpooli në kohën shtesë: 10%
Tottenhami në kohën shtesë: 6%
Cilado skuadër në penallti: 8%
Liverpooli është favorit edhe sa i përket rekordit të ndeshjeve të zhvilluara ndërmjet këtyre klubeve këtë sezon, pasi që e mposhti Tottenhamin edhe në “Wembley” edhe në shtëpi, kur golin e fitores e shënuan afër fundit të ndeshjes.
Por, Tottenhami motivohet nga rekordi i dobët i Jurgen Kloppit në finale të garave. Gjermani e ka shijuar humbjen në finalen e League Cup dhe Ligën e Evropës në vitin 2016, si dhe disfatën e vitit të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.