(2L ONLINE) – Të martën në Gjilan është mbajtur dëgjimi publik për taksat, tarifat dhe gjobat komunale, ku qytetarët, bizneset dhe grupet tjera të interesit kanë mundur t`i paraqesin vërejtjet e tyre, të cilat, siç ka thënë Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, do të merren parasysh në hartimin e draftit përfundimtar të rregullores komunale.
Matoshi ka thënë se është obligim ligjor i Komunës që çdo fillim vit t`i rishikoj taksat, tarifat dhe gjobat komunale. Me ligj, komunat kanë të drejtë të arkëtojnë të hyra vetanake, për të siguruar shërbime sa më të mira për qytetarë dhe këto mjete i realizojnë nga taksat, tarifat dhe gjobat komunale.
Ai i ka inkurajuar qytetarët, bizneset dhe grupet e interesit që t`i paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre edhe më tutje, në mënyrë që të hartohet një rregullore sa më e pranueshme.
Rregullorja do të përmbajë edhe disa ta taksa të reja, të cilat janë propozuar nga drejtoritë përkatëse. Mumim Kqiku nga drejtoria e Urbanizimit, tha se nga viti 2015 do të zbatohen edhe taksa për legalizim dhe taksa për leje mjedisore.
Arben Mehmeti nga Posta e Kosovës kërkoi tarifa më të ulëta për këtë kompani publike. Taksa vjetore prej 1500 euro për kompanitë publike, është e lartë. Në Gjilan, kjo taksë është më e lartë se në Prishtinë, Prizren, Viti dhe komunat tjera, ka thënë Mehmeti dhe ka propozuar që posta të taksohet me 750 euro.
Edhe Shqipe Kadriu-Morina ka paraqitur vërejtje te taksat për kompanitë e sigurimeve, në shumë prej 800 euro, duke thënë se është më e lartë se në komunat tjera.
Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik, tha se biznesi është liruar tërësisht nga taksat komunale. Edhe te kategoritë tjera, ne i kemi zvogëluar taksat aq sa kemi mundur, ka thënë Januzi.
Ai ka premtuar se do të merren parasysh të gjitha propozimet dhe po ashtu taksat do të krahasohen edhe me komunat tjera, për t`i bërë ato sa më të arsyeshme dhe të përballueshme, por ka thënë edhe duhet pasur parasysh që komunat nuk mund të funksionojnë krejtësisht pa taksa. /2L ONLINE/