(2L ONLINE) – Unë si anëtar i Komitetit për Zhvillim Ekonomik (KZHE) nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kam menduar se është e udhës së mbarë që të japim një vlerësim të përgjithshëm dhe të veçantë mbi punën e deritashme të këtij komiteti aq të rëndësishëm për komunën, organet e saj dhe qytetarët tanë.
Shkruan: Agron SHURDHANI
Sipas qëndrimit dhe vlerësimit tonë, janë këto veti që e karakterizojnë Komitetin për Zhvillim Ekonomik, të cilat veti kur të përshkruhen shndërrohen në vese, pra në veçori shumë negative:
– Joprofesionalizmi i kryesueses së komitetit, komitetit në tërësi dhe disa anëtarëve të saj;
– Joserioziteti i komitetit;
– Jokreativiteti i komitetit, dhe;
– Jo pro-aktivizmi në propozime dhe këshilla.
Siç e vëreni, gjithçka ka prefiksin përpara me “Jo”, që pasqyron mungesën e vetive të duhura të komitetit.
JOPROFESIONALIZMI
Kryesuesja nuk na informon për kohë më të gjatë para mbledhjes së Komitetit për Zhvillim Ekonomik. Zakonisht ndodh që dy ditë para mbledhjes të na vijnë materialet në zyre të subjektit tonë politik. Mungon procesverbali i mbledhjes së kaluar. Komiteti nuk duhet të jetë vetëm organ ku bëhen raportime dhe njoftime se çfarë ka bërë Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari, apo Drejtoria për Zhvillim Ekonomik. Ne nuk guxojmë të jemi, si me thënë, vegla të drejtorive përkatëse, por dinamizuese të këtyre drejtorive, duke ia ofruar sa më shumë përvojën dhe njohuritë tona profesionale. Nga ajo që kemi marrë pjesë deri më tash në këto katër mbledhjet e këtij komiteti, ndonëse shumë më pak mbledhje se sa do të duhej me këtë qeverisje të re lokale, e cila ka marrë mandatin shumë moti, nuk mund të themi se ka dhënë hapësirë për të shprehur fuqinë tonë profesionale! Më shumë jemi shndërruar në organ dëgjueshmërie të informatave përshkruese, sesa të kryejmë punën tonë profesionale si anëtarë të komitetit. Jo rastësisht komitetet janë të përbëra nga profesionistët e lëmive të caktuara dhe këtu nuk do të duhej të bëhej politikë ditore! E kemi një rast shumë pa lidhje: na është dërguar materiali për Panairin Regjional “Gjilani 2014” dhe në atë material, na servohet një numër faqesh se si është pritur ky panair nga mediet, e jo përmbajtja e tij! Prej krejt materialit të dërguar për këtë panair, prej 50 faqesh, 22 prej tyre janë me tituj dhe fotografi: “Vlerësim nga mediet për panairin”! Bile në këto faqe, çka është më e keqja, krejt promovohet puna e kryetarit të komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar që vjen nga partia politike e kryesueses së këtij komiteti dhe këtu vërehet ndikimi i saj partiak, e jo parimor në komitet! Na vijnë materiale: “jo Luta e preu shiritin e kuq këtu e atje, jo drejtori i Zhvillimit Ekonomik u takua me atë e këtë”, etj. Komiteti më shumë është bërë marketing politik me fotot duke prerë shirita të kuq nga ekzekutivi i komunës dhe duke marrë poza të ndryshme gjatë panairit, e jo artikujt e panairit apo analiza e suksesit të këtij panairi, se sa u ka ndihmuar vetë prodhuesve vendorë ky panair dhe propozimet tona se si do të duhej të organizohej më së miri ky panair!
JOSERIOZITETI
Komiteti nuk është serioz në detyrimet që ka në bazë të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe në bazë të Rregullores për Kompetencat, Përgjegjësitë dhe Punën e Komiteteve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit. Për të thënë joseriozitetin e Komitetit për Zhvillim Ekonomik, mjafton të shihni në faqen zyrtare elektronike të komunës, se si i njëjti material që na dërgohet neve në Komitet, po i njëjti publikohet në këtë faqe të komunës. Pyetja serioze si kritikë ndaj joseriozitetit të Komitetit mbetet: A është Komiteti për Zhvillim Ekonomik, organ këshilldhënës, propozimsjellës dhe dhënës idesh, apo vetëm emrin e ka komitet, ngase po i bie se komiteti nuk ka shtuar asgjë të re nga mbledhja e mbajtur? Ku janë të përfshira propozimet tona si anëtarë të komitetit?
JOKREATIVITETI
Kreativiteti lidhet me vizion, ide dhe propozime të reja. Ky komitet duhet të jetë shumë vizionar, me pa shumë larg, në mënyrë që të sjellë propozime të reja profesionale, që u ndihmojnë organeve/drejtorive dhe anëtarëve të Kuvendit, të bëjnë më të mirën e mundshme për zhvillimin ekonomik të komunës. Komiteti për Zhvillim Ekonomik nuk ka projekte konkrete dhe ato që dalin nga ky organ, në fakt janë përshkrime, përgjithësimE dhe informata të cilat nuk lejojnë asnjë kreativitet. Ne informohemi përgjithësisht për disa plane, takime dhe bashkëpunime, por jo edhe për të dhënë ekspertizën tonë profesionale.
JO-PROAKTIVIZMI
Komiteti nuk është vetëm organ që pranon informacione dhe ngrit dorën për të votuar pro, kundër dhe abstenim. Komiteti duhet të jetë proaktiv, të jetë nxitës idesh e propozimesh profesionale. Komiteti është grup profesionistësh që vijnë nga përfaqësimet politike të Kuvendit dhe raporti i forcave. Komiteti për Zhvillim Ekonomik nuk është proaktiv në dhënien e propozimeve dhe të zgjidhjeve, pavarësisht që nuk e ka rolin vendimmarrës, por konsultues apo këshilldhënës. Nuk është komitet më dinamik dhe më i gjallë në kuptimin e parashtrimit të më shumë ideve, propozimeve dhe këshillave profesionale! Ka rol mjaft pasiv! Bile, disa anëtarë të komitetit, deri më tash nuk e kanë “çelur as edhe njëherë të vetme gojën”! Këtu faji po ashtu qëndron edhe tek subjektet e këtyre partive, të cilët nuk kanë dërguar njerëz më profesionalë, më energjikë dhe më me vullnet! Për mua si anëtar i komitetit, do të ishte shumë lehtë, vetëm të shkoja aty, të regjistrohesha si pjesëmarrës dhe të prisja mëditjen, por unë mendoj se puna jonë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe fshatrave tona, dhe duhet të jemi sa më të zëshëm, sa më të përgatitur profesionalisht dhe të japim sa më shumë propozime, e jo të shkojmë aty sa për sy e faqe!
REKOMANDIMET TONA SI ANËTAR I KOMITETIT
I bëjmë thirrje veçanërisht Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe asaj për Bujqësi dhe Pylltari, që të kemi më shumë komunikime profesionale, më shumë materiale përmbajtjesore që lidhen direkt me obligimet tona profesionale, e jo të shndërrohet komiteti si urë kaluese e promovimit të udhëheqësisë komunale apo ekzekutivit lokal.
I rekomandojmë drejtorive përkatëse që të merren më shumë me projekte konkrete, kërkime donacionesh dhe shtigjesh zhvillimore për komunën, e jo të na informojnë vetëm për disa takime dhe lëvdata të punës së tyre. Ne jemi në komitet për të dhënë maksimumin nga profesioni jonë, e jo të jemi aty vetëm për të marrë një honorar.
Qyteti jonë ka nevojë për projekte të ndryshme zhvillimore dhe të shfrytëzojmë të gjitha kanalet e aplikimit për të fituar mbështetjen financiare, qoftë nga Ministritë në nivel të Kosovës, por edhe organizatat ndërkombëtare.
Ne rekomandojmë që mos të jemi komitet që vetëm na imponohet agjenda nga drejtoritë përkatëse, e jo edhe dhënës këshillash profesionale dhe rekomandimesh, që projektet të dalin në mënyrë sa më cilësore. Ne duhet të jemi në cilësinë e ekspertëve si anaëtarë të komitetit, për t’i dhënë këshilla, propozime dhe rekomandime Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe Kuvendit, por jo edhe të mbetjes si organ promovues të drejtorive përkatëse dhe punës së kryetarit të komunës, z. Haziri. Ne deri më tash thuajse s’jemi marrë me asgjë profesionale, përveçse jemi informuar për gjëra të parëndësishme siç e përmendëm më sipër. /2L ONLINE/