(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete e ka miratuar të hënën raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim, me disa vërejtje, por është shprehur i pakënaqur me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, sepse nuk bashkëpunon fare në përzgjedhjen e përfituesve për ndërtimin e shtëpive, në kuadër të projekteve për kthim të qëndrueshëm.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se MKK i ka ndërtuar shtëpi një serbi i cili më herët e kishte shitur shtëpinë e tij në Gjilan. Sipas tij, në këtë mënyrë MKK po bën diskriminim ndaj qytetarëve, përfshirë edhe serbët, sepse ka edhe prej tyre që janë kthyer, por nuk kanë përfituar në këto projekte. “MKK nuk na pyet neve fare në këto raste, edhe pse jemi përfaqësues të komuniteteve”, thotë Shahin.
Të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe Fadil Demiroviq nga komuniteti rom. Vërejtja ka bërë edhe Bardhyl Kadriu, i cili ka kërkuar që rastet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Përndryshe, sa i përket riatdhesimit, Ruzhdi Rashiti, zyrtar për kthim, ka thënë se në periudhën korrik-shtator janë riatdhesuar 22 familje ose individë. Këto familje e persona janë kthyer kryesisht nga Franca, Zvicra, Gjermania dhe shtetet tjera.
Rashiti ka thënë se familjet e riatdhesuara, janë ndihmuar me pako ushqimore e higjienike, strehim, orendi shtëpiake dhe gjëra tjera.
Nga aspekti policor, gjendja e sigurisë në Gjilan u vlerësua e qetë. Sadete Sadiku nga Policia e Kosovës tha se në periudhën ndërmjet dy takimeve të Komitetit për Komunitete, nuk është raportuar asnjë rast me prapavijë ndëretnike.
Sadiku ka shprehur shqetësimin e policisë për gjendjen e disa objekteve të braktisura në qytet, të cilat po shfrytëzohen nga keqbërës të ndryshëm për aktivitete kriminale. Në gjendjen që janë ato shtëpi, gjysmë të rrënuara, paraqesin rrezik edhe për kalimtarët, ka thënë Sadiku. /2L ONLINE/