(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete ka aprovuar të premten Raportin e Zyrës për Kthim dhe Komunitete (ZKK) për periudhën prill-qershor 2014, të cilin e ka prezantuar Ruzhdi Rashiti si dhe është njoftuar mbi gjendjen e sigurisë, nga përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku.
Sa i përket aktivitetit të ZKK në procesin e kthimit, ai ka përmendur renovimin e shtëpisë për një pjesëtare të komunitetit rom, Ermina Dugolli, e cila është kthyer nga Serbia. Gjatë kësaj periudhe, së bashku me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete janë kryer dhe dorëzuar te përfituesit dy shtëpi në fshatin Shillovë. Ndërkohë, sipas Rashitit, në bashkëpunim me IOM-in është duke u përgatitur një projekt më i madh për kthimin e të zhvendosurve, që pritet të fillojë në nëntor.
Ndërkaq, sa i përket riatdhesimit, Rashiti ka thënë se në bazë të të dhënave të Departamentit për Ri-integrim, nga vendet e treta janë kthyer 30 familje. Gjatë kësaj periudhë, ZKK-së i janë drejtuar me kërkesa për asistencë 10 familje të riatdhesuara, prej tyre 7 janë familje shqiptare, 1 serbe dhe 2 rome.
Shefik Surdulli, anëtar i Komitetit, e ka ngritur si shqetësim një problem të komunitetit boshnjak, ku bëhet fjalë për gra të martuara në Gjilan, të cilat kanë pengesa për t`i vizituar familjet e veta, sepse Bosnja nuk i njeh dokumentet e Kosovës.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka thënë se e ka njoftuar Partinë e Boshnjakëve me këtë problem, e cila ka mundësi ta ngre këtë çështje në Parlamentin e Kosovës. Përndryshe, Shahin ka thënë se numri i pjesëtarëve të komunitetit boshnjak në Gjilan, është shumë i vogël dhe bëhet fjalë kryesisht për gra të martuara këtu më herët.
Ndërkaq Fadil Demiroviq, përfaqësues i komunitetit rom, ka thënë se dukuria e migrimit të këtij komuniteti nga Kosova, është shfaqur edhe në Gjilan, prej nga deri më tani janë larguar rreth 15 romë. Komiteti ka paralajmëruar një takim të shpejtë me komunitetin rom, për t`i njoftuar ata për pasojat që bart migrimi ilegal.
Përndryshe, gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit, është vlerësuar e qetë dhe stabile. Sadete Sadiku, përfaqësuese e Policisë së Kosovës, ka thënë se në këtë periudhë nuk ka pasur probleme me prapavijë ndëretnike, ndërkaq një rast i lajmëruar nga një serb në qytetin e Gjilanit, si dëmtim i pronës, ka rezultuar të jetë inskenuar nga vetë ai. /2L ONLINE/