/2L ONLINE/ – Komiteti për Komunitete ka miratuar të mërkurën raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), me vërejtjet për mungesën e transparencës te lista e përfituesve të shtëpive dhe programeve të tjera për të kthyerit, që në të vërtetë ka qenë kërkesë e vazhdueshme e anëtarëve të kësaj trupe komunale.
Milivoje Zhivkoviq, shef i ZKK, ka thënë se sipas evidencës së tyre, deri tani janë kthyer 124 persona, ndërsa vetëm gjatë periudhës gjashtëmujore janë adresuar 24 kërkesa për kthim, nga pjesëtarët e komunitetit serb dhe rom.
Në këtë periudhë janë miratuar kërkesat për ndërtimin e tri shtëpive, ndërsa dy familje janë ndihmuar për intervenime të vogla, me shuma deri në 3000 dollarë nga BRICK-IOM.
Sa i përket procesit të riatdhesimit, gjatë kësaj periudhe, nga vendet e treta janë kthyer 54 familje dhe 184 individë, ose 238 gjithsej. Numri më i madh i tyre, janë kthyer nga Gjermania, ka thënë Zhivkoviq.
Përndryshe, Zyra për Komunitete dhe Kthim ka kryer vizita edhe në terren, te pjesëtarët e komuniteteve të cilët kanë aplikuar në programin e IOM-it për zhvillim ekonomik, sikurse janë vizituar edhe serbë dhe romë të zhvendosur në Serbi e Maqedoni, të cilët kanë bërë kërkesë për kthim.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se secili ka të drejtë të kthehet në vendin e vetë, nëse i përmbush kriteret e parapara. Sipas tij, familjet që i kanë vizituar, jetojnë në kushte të rënda. Për ata që nuk kanë pasur prona të tyre, sepse kanë jetuar nëpër bodrume shoqërore, para luftës, po shqyrtohet mundësia për të siguruar troje nga Komuna.
Raporti është kritikuar nga anëtarët e Komitetit për shkak se nuk i përmban të dhënat për personat ose familjet që kanë përfituar.
Ibish Ibishi (AAK) ka thënë se këtë vërejtje e kanë pasur edhe në të kaluarën, por nuk po merret parasysh nga shefi i ZKK. I pakënaqur sa i përket transparencës së kësaj Zyre u shpreh edhe Fadil Demiroviq, përfaqësues i komunitetit rom. Tomisllav Naskoviq, tha se Komiteti duhet të dijë nëse ka persona që kërkojë të përfitojnë nga programi i kthimit, ndërsa fare nuk janë të zhvendosur.
Bardhyl Kadriu (LDK) ka thënë se përfituesit nuk mund të jenë anonimë, derisa ka kërkuar të dijë se deri kur zgjat procesi i kthimit.
Shahin ka thënë se Komiteti dhe as Zyra për Komunitete dhe Kthim nuk vendosin se sa mund të zgjas procesi i kthimit, sepse për këtë vendos niveli qendror, kurse sa i përket listës së përfituesve, Zhivkoviq ka premtuar se do ta sjellë në takimin e ardhshëm.
Përndryshe, Sadete Dadiku, rreshtere e Policisë së Kosovës, ka njoftuar për gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, e cila është vlerësuar e mirë. Fadil Demiroviq falënderoi policinë e Kosovës, duke thënë se ata u përgjigjen të gjitha thirrjeve të komunitetit rom dhe kjo ka bërë që ata të ndihen shumë më të sigurt.
Kurse Bardhyl Kadriu kërkoi nga policia që mundësisht të jetë më tolerante me mërgimtarët, derisa ata ndodhen për pushime në vendlindje. /2L ONLINE/