Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka kërkuar sot nga drejtoritë komunale që ta respektojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në planifikimin financiar për vitin 2020, duke nënvizuar faktin se kjo nuk nënkupton ndarje të mjeteve vetëm për gratë, siç mund të keqkuptohet ndonjëherë, por se nga ky kriter përfitojnë të dyja gjinitë.
Ajtene Shahiqi, kryesuese e KBGJ, ka thënë se drejtoritë komunale duhet ta bëjnë planifikimin e mjeteve buxhetore në mënyrë sa më të drejtë sa i përket aspektit gjinor.
Xhylshene Berisha, anëtare e Komitetit, ish-deputete, tha se komuna e Gjilanit ka shënuar përparime në planin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, që nuk duhet kuptuar si obligim për ndarjen e mjeteve vetëm për gra, sepse qëllimi është që nga kjo mënyrë e buxhetimit të përfitojnë të dyja gjinitë.
KBGJ do ta monitorojë procesin e planifikimit, për të parë sa po zbatohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, ka thënë ajo.
Po ashtu, KBGJ është njoftuar edhe me përgatitjet për shënimin e 16 ditëve të aktiviteteve kundër dhunës ndaj gruas, që siç tha Ajtene Shahiqi, hapen më 25 nëntor dhe vijojnë tutje me programe që në fokus kanë ndërgjegjësimin e shoqërisë në raport me të drejtat e grave.
Njëherësh, KBGJ ka diskutuar edhe për punën e bërë gjatë këtij viti si dhe planin për vitin vijues, duke kërkuar nga anëtarët që të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete, në mënyrë plani të jetë sa më gjithëpërfshirës.
Komiteti, kryesisht u shpreh i kënaqur me zbatimin e rekomandimeve të tij, pa harruar të përmend kërkesën për ngritjen e një monumenti të gruas në qytetin e Gjilanit, që ende nuk realizuar.
Në këtë debat kontribuuan me ide e propozime edhe anëtarët tjerë, Shemsedin Elezi, Mimoza Shkodra e Rijad Elezi.