/2L ONLINE/ – Komiteti për Gjeodezi, Kadastër e Pronë (KGJKP) ka shqyrtuar të mërkurën propozim-vendimin e kryetarit të Komunës, për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të disa pronave të paluajtshëm komunale, banesa dhe lokale afariste, të cilat ndodhen në kuadër të dy objekteve banesore-afariste, të ndërtuara në partneritet publiko-privat.
Refik Shala, kryesues i Komitetit, ka thënë se njëri objekt gjendet afër Kombinatit të Duhanit, ndërsa tjetri, te ish-Kadastra, të dyja të ndërtuara në pronë komunale. Lokalet kanë sipërfaqe të ndryshme, prej 59 deri në 204 m/2, ndërsa banesat – nga 55 deri në 119 metra katrorë.
Dhënia e këtyre pronave në shfrytëzim bazohet në ruajtjen dhe garantimin e interesit publik, rritjen e vlerës së pronës publike komunale dhe ruajtjen e mjedisit. Pronat jepen në shfrytëzim nëpërmjet ankandit publik, nga një komisioni vlerësues, i cili është i emëruar nga Kuvendi i Komunës.
Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër e Pronë, ka thënë se është interes i Komunës që asetet e saj t`i jap në shfrytëzim dhe të realizojë përfitime prej tyre.
Sipas Sami Ahmetit, këto banesa nuk duhet të qiten në ankand publik, por të jepen për rastet sociale, duke shtuar se në Gjilan janë mbi 500 familje pa shtëpi.
Arijeta Rexhepi ka thënë se do të ishte mirë që çështja e banesave të rishikohet edhe një herë, ndërsa te lokalet duhet të saktësohet afati i kontratës, çmimi minimal dhe kushtet tjera, ka thënë ajo.
Venhar Haziri tha se detyrë e Komitetit është që të bëjë rekomandime, kurse përgjegjësinë për procedurat tjera e bartin zyrtarët e Komunës. Për më tepër ai ka pyetur pse nuk mund të shiten këto asete dhe të hiqet barra nga Komuna.
Samid Robelli nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Banim, ka sqaruar se ligji e përcakton qartë afatin e dhënies së një prone në shfrytëzim afatshkurtër, që është prej 1-15 vite.
Sadudin Berisha ka thënë se vendimi nuk ka të bëj me politikat sociale dhe as me banim social, sepse këtë fushë e rregullon ligji, por me asete komunale. “Baza ligjore për dhënien në shfrytëzim të një aseti komunal, është ligji për dhënien në shfrytëzim e jo ligji për banim”, ka thënë ai.
Për më tepër, Berisha ka thënë se Komuna nuk ka të drejtë të shes prona, por mund t`i jap ato në shfrytëzim.
Refik Shala, kryesues i KGJKP, ka thënë se ne nuk i përcaktojmë kushtet dhe kriteret e dhënies së këtyre pronave në shfrytëzim. “Detyra jonë është që ta shqyrtojmë këtë propozim-vendim dhe ta rekomandojmë për procedurë të mëtejme, ndërsa për gjerat tjera, kujdesen të tjerët”, ka thënë ai.
Me katër vota për dhe një abstenim, KGJKP e ka miratuar rekomandimin. /2L ONLINE/
Refik Shala, kryesues i Komitetit për Gjeodezi, Kadastër e Pronë (KGJKP)