(2L ONLINE) – Në mbledhjen e mbajtur të Komitetit të Arsimit në Gjilan, kanë dhënë informatën e tyre drejtori Nazmi Musa lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor dhe gjendjen në përgjithësi të shkollave tona, pastaj informatë për pranimin e drejtorëve dhe zv.drejtorëve të shkollave nga kryesuesja e komisionit, Saranda Bllaca, informatën për pranimin e kuadrit arsimor nga kryesuesi Bardhyl Syla dhe informata tjetër për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve nga kryesuesi Rashit Sahiti.
Nazmi Musa, drejtor i Azrimit ka thënë se viti i ri shkollor këtë vit ka nisur me rregull në të gjitha shkollat dhe pa probleme.
“Këtë vit procesi mësimorë ka nisur me rregull në shkollat e Komunës së Gjilanit. Po ashtu është bërë gëlqerosja e shkollave të cilat janë vlerësuar paraprakisht nga komisioni se duhet të bëhet gëlqerosja. Gjithashtu me kohë ka nisur regjistrimi i nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë. Apelojmë tek nxënësit e klasave të nënta që të drejtohen edhe në shkollën e agro biznesit që të aplikojnë atje sepse janë drejtime me perspektivë dhe është një shkollë me të gjitha kushtet dhe më e mira në regjion”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ndërsa kryesuesit e komisioneve për pranim të kuadrit në shkolla dhe përzgjedhjen e përfituesve të bursave, respektivisht Saranda Bllaca, Bardhyl Syla dhe Rashit Sahiti, kanë thënë se gjithçka është bërë në kuadër të kritereve dhe me transparencë të plotë. Ata kanë thënë se janë të gatshëm që për çdo të interesuar që pretendojnë se u është bërë e padrejtë, kanë mundësinë që të shohin dokumentacionin në drejtorinë e arsimit gjatë orarit të punës.
Komiteti i kryesuar nga Arben Mehmeti, ka rekomanduar që gjithçka që është në interes të publikut të sillet informatë në këtë komitet në mënyrë që në aspektin profesional të jepen rekomandime. Po ashtu është ofruar bashkëpunim maksimal nga komiteti në ndihmë profesionale për drejtorinë duke kërkuar që të vazhdohet kështu në respektim të ligjit duke qenë 100% transparent ndaj publikut dhe qytetarëve. /2L ONLINE/