Është mbajt mbledhja e Komisionit Vlerësues për Mirënjohje Publike në Komunën e Gjilanit, ku janë shqyrtuar dhe vlerësuar kriteret për dy çmimet vjetore të mirënjohjes publike.
Nominimet për këtë proces do tē pranohen deri me 24 dhjetor të këtij viti për çmimin vjetor për angazhimin qytetar/e i/ e dalluar dhe për çmimin vjetor për zyrtar/ e i/ e dalluar komunal.
Ky komision ka këtë përbërje: Linditë Salihu, zyrtar për Barazi Gjinore, Sherafedin Latifi, zyrtar publik i pensionuar, Xhylsym Dindar, përfaqësuese nga OJQ-të, Haxhi Kurti nga këshilli lokal, Sadete Sadiku nga policia, Vehbi Ramadani nga komuniteti jo shumicë dhe Fazli Abdullahu nga grupet qytetare.
Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Gjilanit, Linditë Salihu, tha se si një komision, janë mbledhur për të shqyrtuar dhe vlerësuar kriteret për dy çmimet vjetore të mirënjohjes publike.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të njohur dhe vlerësuar ata individë dhe grupe të komunitetit që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe në forcimin e angazhimit të qytetarëve në proceset e vendimarrjes lokale”, tha Linditë Salihu.
Ajo premtoi se procesi do të jetë i drejtë dhe transparentë.
Sipas saj përmes këtij procesi synohet që të nderohen ata që kanë bërë një ndryshim të vërtetë.
“Kjo është një mundësi për të shpërblyer ata që kanë dhënë një shembull të shkëlqyer të angazhimit qytetar dhe përkushtimit ndaj interesit të përbashkët”, tha zyrtarja për barazi gjinore.
Ajo beson se do të arrijnë të bëjnë përzgjedhjen e drejtë dhe të merituar për ata individë dhe grupe që do të shpërblehen këtë vit. /2LONLINE/