Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i udhëhequr nga zëvendëskryetari i parë, Hydajet Hyseni Kaloshi, priti sot në takim Grupin e Miqësisë Lituani-Ballkan Perëndimor i Parlamentit të Republikës së Lituanisë, të drejtuar nga Laima Andrikienė.
Duke u uruar mysafirëve lituanezë mirëseardhje, zëvendëskryetari i komisionit, Hyseni-Kaloshi, e konsideroi këtë vizitë mjaft të rëndësishme, duke qenë e para e këtij niveli në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Parlamenti i Lituanisë.
Ai tha se e kaluara e ngjashme e të dy popujve e bën edhe më të domosdoshme nevojën e shkëmbimit të përvojave në fushat me interes të përbashkët.
“Kërkojmë mbështetjen tuaj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu e konsiderojmë të nevojshme të mësojmë nga rrugëtimi juaj në procesin euro-integrues e të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi deputeti Hydajet Hyseni Kaloshi.
Kryesuesja e delegacionit lituanez, Laima Andrikienė, nga ana e saj shprehu kënaqësinë që gjenden për vizitën në Kuvendin e Kosovës, ndërsa rikujtoi se Lituania ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Ajo konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit të saj për Kosovën edhe në të ardhmen, si në procesin për heqjen e vizave për qytetarët e saj, ashtu edhe për procesin e integrimit euro-atlantik në përgjithësi. /2LONLINE/