Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral major Stephen Osborn, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, në kuadër të vizitës së Guvernatorës së Iowa-s.
Gjeneral Jashari priti në takim Gjeneralin Osborn ku e falënderoi për vizitën dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që nga marrja e detyrës si Komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s. Tutje, gjatë takimit gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë UF “Defender Europe 23”, bashkëpunimin në fusha tjera dhe thellimin e bashkëpunimit mes GK Iowa dhe FSK, ku edhe u pajtuan që të fillohet me planifikim për Planin Dinamik GK Iowa-FSK 2024-2025.
Kësaj radhe gjatë qëndrimit të tij në FSK, Gjenerali Osborn ka vizituar Regjimentin e Parë të Komandës së Forcës Tokësore (R1 KFT) nën shoqërimin e Shefit të Stafit të SHPFSK dhe Komandantit të Forcës Tokësore. Gjatë vizitës në R1K, Gjeneral Osborn, u njoftua më në detaje me misionin, detyrat, pajisjet e R1K dhe u diskutua më gjerësisht rreth angazhimeve të regjimentit e me fokus gjatë ushtrimit fushor “Defender Europe 23”. /2LONLINE/