Në Mitrovicë sot u organizua ceremonia e ndarjes së titullit “Qytetar Nderi” i Mitrovicës nga kryetari i komunës Agim Bahtiri për Komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Nga Kryesuesi i kuvendit të Mitrovicës zoti Bislim Imeri u njoftua se me iniciativën e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, në mbledhjen e mbajtur më 27 prill të këtij viti, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, ka marrë vendim që Gjenerallejtënant Rrahman Ramës-Komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovës, t’i jepet Titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës me motivacion: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë e pavarësinë e vendit dhe sidomos në organizimin e mobilizimin e Zonës Operative të Shalës së Bajgorës, mbrojtjen e qytetarëve të komunës nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe; në ofrimin ndihmës për popullatën e Komunës së Mitrovicës dhe të rajonit të Drenicës para dhe gjatë luftës, si dhe në stabilizimin e gjendjes së sigurisë pas lufte”.
Në Fjalën e tij kryetari i Komunës së Mitrovicës zoti Agim Bahtiri duke ju drejtuar Komandantit Rama ndër të tjera theksoi se: “Ju me bashkëluftëtarët tuaj të lirisë dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare bëtë realitet shpresën tonë për jetë, liri, pavarësi dhe demokraci. Gjenerallejtënant Rrahman Rama është shquar si organizator i shkathët e luftëtar i denjë, prandaj kontributi i tij dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shumë i madh. Ata e nxorën përfundimisht Kosovën dhe popullin e saj nga terri i robërisë. Ai ka qenë shumë aktiv sidomos gjatë lëvizjes së përgjithshme për liri e pavarësi. Ishte një komandant i shkëlqyer i Zonës Operative të Shalës, ku bashkë me ushtarët e tij zhvilloi luftërat më të rrepta kundër okupatorit”.
Në fjalën e tij falënderues duke mos fshehur emocionet Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama u përqendrua në detyrat e tashme që kemi karshi qytetarëve dhe vendit tonë: “Është obligim i të gjithë neve të respektojmë amanetin e dëshmorëve dhe gjakun e derdhur për këtë vend. Të punojmë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shtetit të lirë dhe demokratik, për një të ardhme më të mirë për të gjithë. E kemi për obligim që të vendosim themele të shëndosha për gjenerata të reja, që ata të vazhdojnë në zhvillimin e Republikës së Kosovës, ku të gjithë gëzojnë të drejtat dhe mundësi të barabarta”.
Në Këtë ceremoni komandanti i FSK-së shoqërohej drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK gjeneral brigade Zymer Halimi si dhe oficerë të tjerë të lartë të FSK-së.