/2L ONLINE/ – Ramadan Baxhuku, që në fillim na thotë se, bashkëfshatarët e mi janë tallur nga pak me mua, duke më thënë se çka të vyejnë këto vjetërsira, por unë nuk ua kam vënë veshin, dhe kam vazhduar të grumbullojë trashëgiminë etnografike të fshatit e të rrethinës, dhe siç po e shihni edhe vet, tani thuasje është bërë një muze etnografik.
Dhe vërtetë Ramadani kishte grumbulluar një numër të madh të eksponateve, nga fusha e etnografisë, si: vegla bujqësore, vegla pune, vegla matëse, vegla endëse, veshje, popullore, vegla për kuzhinë, vegsha (qypa), mjete barinjsh etj. etj.
Ky fshat gjendet mu në kufirin, tani, Kosovë–Serbi. Eksponatet që janë grumbulluar në këtë muze, janë të kësaj rrethine, përkatësisht të fshatrave nga të dy anët e këtij kufiri të banuar me shqiptarë. Pra, kultura nuk njeh kufij, kultura shkel apo shemb kufijtë politikë. Këtë e dëshmon përveç tjerash, edhe etnografia shqiptare. Pra, eksponatet e grumbulluara nga Ramadan Baxhuku nga të dy anët e kufirit, janë të përbashkëta, janë të njëjta, janë të të njëjtit popull, janë shqiptare.
Koleksionet e Ramadan Baxhukut janë të viteve të ndryshme, duke filluar të atyre para 200 viteve e deri te ato më të reja, bile edhe nga ato që i ka punuar edhe vet. Si p. sh. Ai ka punuar një maket të samarit, i cili, pothuajse, është origjinal.
Vlen të përmenden dy veka të kompletuar, njëri më i madh e tjetri më i vogël, pastaj, një toçillë 200 vjeçare, kosh për fasule, një qyp që duket se është shumë i vjetër, korubja prej druri, kaca, dybek, peshore (kandar ) i vjetër, havanë për grirjen e duhanit, sënduk nusërie, një qerreje lufte nga Serbia e parë, cergë (e dedikuar për shtrojë por është përdorur edhe për mbulojë), pastaj qilim, janë, këmisha për gra, shokë burrash, e shumë e shumë eksponate tjera që janë përdorur në jetën e përditshme tek familjet shqiptare, që nga lashtësia.
Siç e përmendëm më lartë, Ramadani ka ruajtur një vek më të vogël e një më të madh të kompletuar, që edhe sot mund të punohet në ta, të cilët sipas tij janë të vjetër mbi 100 vjet e në të cilët ka endur gjyshja e tij.
Veku më i madh është i lartë 1.42 m., i gjatë 2.05 m., dhe i gjerë 1.20 m. Ndërsa veku i vogël është i lartë 1.05 m., i gjatë 1.80 m., ndërsa i gjerë 1.24 m.
Ishte mjaftë interesante, e ashtuquajtura Korubja, e cila ka shërbyer për mbajtjen e drithërave. Është prej drurit të ahut. Është punuar nga një lis i zgavruar. Lisi është marrë ashtu siç ka qenë në mal, vetëm se nga ana e jashtme i është hequr lëvorja e më pastaj është vendosur drithi në të. Sipas Ramadanit, kjo korube i nxë 560 kg. grurë. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/