Kolegjiumi për Shëndetësi mbajti takimin e rradhës ku u diskutuan prioritetet dhe rekomandimet dhe u aprovua Plani i Veprimit 2023, bazuar në objektivat e Planit Strategjik 2023-2025 të punës së Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Takimin e drejtoi Kryesuesi i Kolegjiumit Dr.Izet Sadiku, ndërsa të pranishmit u pajtuan që, mes tjerash, fokusi primar në vitin 2023 të jetë në rolin e Kolegjiiumit si avokues rreth zhvillimit të politikave dhe strategjive në lidhje me Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe Shërbimet Sociale; promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional; përmirësimin e vazhdueshëm menaxherial; planifikimit të drejtë dhe sigurimit të barnave esenciale; koordinimi dhe mbështetja e monitorimit të rregullt, të standardizuar të sigurisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor/shërbimeve sociale; avokimi dhe lobimi për fuqizimin e shërbimeve për fëmijët në nevojë etj.
Klevis Vaqari nga KOMF dhe Ibe Krasniqi nga Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP adresuan nevojën për zhvillimin e skemës së qëndrueshme të kontraktimit të shërbimeve sociale nga komunat.
Ndërsa Dr. Elvira Rasimi nga Projekti AQH – Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor prezentoi para të pranishmëve disa nga aktivitetet e projektit në aspektin e Edukimit Shëndetësor të Popullatës.
Ky takim u mundësua nga projekti “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP dhe KMOP. /2LONLINE/