Kjo qeverisje aktuale e Kosovës a po kalkulon në marrëveshje me Amerikën apo në kundërshtim me të?
Këndej i refuzon thirrjet e administratës amerikane e në ndërkohë shkon në Sarajevë për marrëveshje tregtare me Bosnjën dhe Hercegovinën?!
Shkruan: Arsim Kastrati
Vetëm në bazë të propozimeve të eurokomisionerit Hahn apo edhe në pajtim me amerikanët delegacioni qeveritar i Kosovës ishte për bisedime në Bosnje?
A po tenton qeveria e Kosovës, duke manovruar dhe blerë kohë, ta forcoj pozicionin negociator të vendit apo duke shpresuar që Donald Trumpi ndryshon qasje apo edhe nuk qëndron gjatë në Shtëpinë e Bardhë, ta shmangë disi momentumin aktual të bisedimeve me Serbinë, të cilësuar nga shumë kush si i pa favorshëm për Republikën e Kosovës?
E Serbia në anën tjetër tërë kohën ankohet para bashkësisë ndërkombëtare se Kosova po i pengon bisedimet ndërsa në prapaskenë punon dhe në vetvete i lutet Zotit që këto bisedime të dështojnë dhe faji për dështimin e tyre të bie mbi kokat e shqiptarëve të Kosovës – mundësisht.
Edhe sa kohë do të avancoj kjo Serbi duke e luajtur vallen e saj, me njërën dorë kapur me Rusinë ndërsa tjetrën të drejtuar kah BE-ja?
Një tjetër pikëpyetje është edhe qëndrimi i Rusisë: a është Rusia dakord për një marrëveshje definitive në mes të Kosovës dhe Serbisë apo do të vazhdoj të punoj në drejtim të destabilizimit të rajonit ashtu si ka bërë deri më tani?!
Të tjera pikëpyetje akoma, kanë të bëjnë me intensitetin e mospajtimeve aktuale ndërmjet SHBA-ve dhe Gjermanisë e Britanisë së Madhe rreth zgjidhjes optimale të problemit të Kosovës dhe Serbisë si dhe me atë se sa është duke ndikuar ky mospajtim veriatlantik në përçarjen e akterëve politik kosovar dhe në qëndrimet e tyre karshi akterëve politik ndërkombëtar, karshi Serbisë dhe opsioneve të ndryshme të përfundimit të bisedimeve me të.
Një gjë është e sigurt dhe ajo ka të bëjë me faktin se Kosova nuk ka mundësi në asnjë mënyrë që tu bëjë ballë për kohë të gjatë dëshirave dhe qëllimeve gjeopolitike të Amerikës dhe BE-së, për më tepër që shtetësinë e saj e kanë krijuar dhe vazhdojnë ta mbajnë në jetë pikërisht këto dyja e në veçanti SHBA-të.
Hipotetikisht edhe nëse do të arrihej që të manovrohej suksesshëm dhe pa ndonjë dëm të pandreqshëm për shtetin tonë deri në kohën e zgjedhjeve të reja në Amerikë, atëherë çka nëse amerikanët e zgjedhin përsëri Donald Trump-in për president të shtetit të tyre?
Nëse ka një disponim trepalësh: BE – SHBA dhe RUSI për një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nëse zhvillimet gjeopolitike do të jenë në favor të saj, atëherë ajo edhe do të ndodhë, por pala që do luaj më fort në shmangien dhe pengimin e bisedimeve do të mund të përballet me pasoja të pakëndshme.
Që në kohërat antike njëri nga etërit e filozofisë, Platoni ka kërkuar që në krye të shtetit të zgjidhen njerëzit më të dijshëm dhe më të kujdesshëm?
E liderët e Kosovës do të duhej ta dinin mirë se po kalojmë çaste të trazuara të politikës globale dhe rajonale, çaste jo dosido për fatet e vendit, andaj KUJDES!