Shkruan: Fatmir MATOSHI
(2L ONLINE) – Shumë prej jush mund ta japin vlerësimin për këtë shkrim, duke thënë se po shkruaj për të krijuar opinionin ashtu që AKR-së t`i jepet edhe një mundësi që përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme që sërish të jetë parti parlamentare.
Në fakt unë do të kisha dashur shumë që AKR-ja të ishte në Kuvendin e Kosovës, për të përfaqësuar votuesit tanë dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Por jam i vetëdijshëm se kjo nuk do të ndodhë në këtë legjislaturë dhe e tëra kjo për vetë fajin e strukturave të AKR-së, mënyrës se si e organizuam fushatën tonë, folësve që iu drejtuan elektoratit dhe shumë defekteve të tjera tonat, të cilat nuk do t`i trajtojë këtë herë.
Rezultatet e zgjedhjeve në shikim të parë të kanë krijuar përshtypjen se krijimi i institucioneve në Kosovë do të jetë ndër punët më të lehta pas zgjedhjeve demokratike që kaluam. Pesë parti parlamentare shqiptare dhe njëzet deputetët e pakicave, me një parti fituese të zgjedhjeve me 37 deputetë, gjithçka dukej si një punë e lehtë.
Mirëpo, çfarë i thanë opinionit liderët e katër partive që u bashkuan në bllok kundër PDK-së. Isa Mustafa e gjeti një arsyetim për të “hequr” dorë nga posti i kryeministrit (të cilin post as që ia ofroi ndokush), duke thënë se partia e tij nuk doli e para dhe rrjedhimisht ai nuk mund ta drejtojë Qeverinë, sepse ky nuk ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës. Në fakt kryetari i LDK-së u detyrua ta pranojë një kusht të vënë nga AAK-ja me të vetmin qëllim që ta ruajë pozitën e vet në parti duke e dërguar PDK-në në opozitë. Asnjë opsion tjetër nuk e shpëton z. Mustafa nga largimi prej kreut të partisë përveç nëse ai do t`ia atribuojë vetes meritat se e la në opozitë PDK-në.
Ramush Haradinaj është politikani që deri më tani u ka qëndruar më së tepërmi besnik fjalëve të tij. Ai i tha elektoratit se ka hyrë në zgjedhje për t’u bërë kryeministër dhe nuk lëvizi nga kjo marrëveshje me votuesit e vet. AAK-ja dhe Ramush Haradinaj kanë rrezikuar mjaft shumë, ata komod do të merrnin hise të madhe në një qeveri me Thaqin, por, ndonëse janë parti që në dy mandatet e fundit qëndruan në opozitë, rrezikuan edhe këtë herë duke shkuar në variantin “krejt ose asgjë”. Implementimi i marrëveshjes së LAN-it do t’i krijonte ish-kryeministrit Haradinaj edhe një rast të dytë për të treguar aftësitë e tij qeverisëse të ndërprera padrejtësisht në vitin 2005.
NISMA mund të mbijetojë në skenën politike kosovare vetëm në rast se e lë PDK-në në opozitë, për shkak të elektoratit të njëjtë që e kanë. Futja e NISMA-s në qeveri dhe lënia e PDK-së jashtë saj do t’i krijonte të parës një mundësi që të marrë anëtarë të tjerë nga PDK-ja. Në asnjë variant tjetër NISMA nuk mbijeton.
Lëvizja Vetëvendosje të vetmin parim që nuk e ka shkelur deri tash është mbetja e saj kundër PDK-së. Prej një pjese të saj, në një të ardhme të afërt, do të krijohet një subjekt i ri politik, besoj me vlera të mirëfillta dhe me një të ardhme politike. LVV po ashtu do të jetë një humbëse e madhe në rast të hyrjes së saj në një qeveri me LAN-in. Neutraliteti i LVV-së, në këtë situatë, ka qenë i pamundur, për shkak të mosbesimit se LAN-i do të qëndrojë bashkë. Pra, LVV-ja është në këtë bllok për të siguruar LAN-in.
Tashmë Kosova ndodhet një situatë kur të gjitha partitë politike shqiptare, pa PDK-në kanë 63 deputetë dhe kjo është shumica në Kuvend, ndërsa, në anën tjetër, PDK-ja si parti fituese e zgjedhjeve me 37 deputetë, ka në dorë edhe me aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, pra të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Secila ka nga palët ka nevojë për atë që e ka tjetra. Koha mund të punojë vetëm për PDK-në, sepse ajo të drejtën për të propozuar nuk e ka të limituar dhe çarja, nëse ndodh, mund të ndodhë vetëm të Blloku. VLAN-i në fakt është duke kërkuar nga PDK që ta propozojë Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PDK-ja po kërkon nga pala tjetër që, megjithëse nuk janë të bindur dhe nuk kanë një marrëveshje politike, ta votojë Arsim Bajramin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Fatkeqësia qëndron në faktin se sa e ngurtë është kjo klasë politike përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës . Thaqi nuk e ka vullnetin të shkoj në opozitë, megjithëse nuk krijon dot shumicë parlamentare me këtë përbërje, Isa Mustafa nuk e ka vullnetin të heqë dorë nga kryetari i Kuvendit, sepse në këtë veprim identifikon fundin e tij në politikë, Ramush Haradinaj synon të realizojë ëndrrën e tij që të rikthehet si i pari në qeveri dhe për këtë arsye nuk e ka vullnetin ta lërë LAN-in dhe të ndërrojë kurs, Fatmir Limaj mbetet në skenë vetëm nëse PDK mbetet jashtë qeverisë dhe për këtë nuk e ka vullnetin as të diskutojë të hyjë në qeverisje me ata nga të cilët u nda vetëm pak muaj më herët. Albin Kurti, pas ndryshimit të kursit politik dhe qëndrimit për negociatat, qëndrimit për hyrjen në qeveri vetëm në rast se del partia e parë etj etje etj, nuk mund ta thej edhe këtë parim, prandaj nuk e ka vullnetin të flasë me PDK-në.
Në tërë këtë situatë, një zgjidhje që do ta dërgonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ishte ideale, jo vetëm për AKR-në, por për gjithë qytetarët e maltretuar të Kosovës dhe po ashtu edhe për vet akterët që e sollën gjendjen deri këtu. Një ndër detyrat e presidentes së Kosovës është të garantojë funksionimin e institucioneve të vendit dhe, në rast se ajo tashmë është bindur se kjo përbërje e parlamentit nuk funksionon, atëherë është koha që të reagojë. /2L ONLINE/
/autori është nënkryetar i komunës së Kamenicës dhe kryetar i AKR-së në këtë komunë/