Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, ka thënë se kushdo që vjen në krye të Qeverisë së Kosovës, ai duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me Serbinë për të vazhduar procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Njëri ndër tri kushtet e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dhënë mbështetje koalicionit opozitar që synojnë të krijojnë qeverinë, është ndërprerja e dialogut me Serbinë.
Mirëpo, zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian theksojnë se kushdo që vjen në krye të qeverisë së re në Kosovës, dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdoj.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e zyrtares së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, i ka thënë Radio Dukagjinit, se qeveria e re pos vazhdimit të dialogut duhet edhe ta implementoj pikë për pikë marrëveshjen e arritur vitin e kaluar nga Thaçi e Daçiq.
“Dialogu duhet të vazhdoj, ne presim që puna të vazhdoj edhe për implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruskel me 19 Prill”, tha ajo.
Zëdhënësja e baroneshës Ashton, thekson se është e domosdoshme që qeveria e re të krijohet sa më parë në mënyrë që të merret me problemet me të cilat përballet Kosova.
“Ashtu siç e kemi thënë në deklaratën tonë zyrtare pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë, ne presim që sa më shpejt të krijohet qeveria e cila duhet të përballet me sfidat që ndodhen para Kosovës siç janë reforma ekonomike, ashtu edhe përpjekjet për sundim të ligjit, duke mos lënë anash vazhdimin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjes së 19 prillit”, theksoi ajo.
Sido që të jetë, pos Vetëvendosjes, partitë tjera opozitare gjatë gjithë kohës e kanë mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, qoftë drejtpërdrejt apo edhe indirekt duke votuar për ratifikimin e marrëveshjes së 19 Prillit në Kuvend.