Të shtunën në fshatin Mirovc afërsi të Merdares nga Policia e Serbisë janë arrestuar asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Blerim Maqastena dhe Berat Mexhuani. Ata janë arrestuar nën dyshimin e kanë hyrë në territorin serb. Berat Mexhuani është liruar, ndërsa në paraburgim prej 30 ditësh mbetet asamblisti Blerim Maqastena.
Për këtë rast, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i cili ka kërkuar lirimin nga paraburgimi të Blerim Maqastenës.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
TË LIROHET BLERIM MAQASTENA NGA BURGU NË PROKUPJE!
Policia e Serbisë, ditë më parë arrestoi dy qytetarë të Podujevës, shtetas të Republikës së Kosovës me arsyetim për kalim ilegal të kufirit. Dje u lirua njëri nga të arrestuarit kurse ende po mbahet në burg Blerim Maqastena, asamblist në komunën e Podujevës, ish-aktivist i LV-së dhe tash anëtar i PSD-së.
Policia e Serbisë është shumë mirë e informuar për veprimtarinë kombëtare dhe politike të Blerim Maqastenës andaj e mbanë të burgosur për një kundërvajtje e cilësuar si kalim ilegal i kufirit në kohën kur kufiri nuk është e shenjëzuar sikur që për shkak të motit me mjegull të madhe mund të ketë ndodhur që e kanë kaluar kufirin, pa e ditur fare se e kanë kaluar dhe pa pasur asnjë qëllim të caktuar.
Jemi dëshmitarë që policia e Serbisë, shumë herë ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe ka arrestuar qytetarë të Kosovës të cilët i ka mbajtur nën arrest një, apo disa muaj dhe i ka liruar duke iu shqiptuar gjoba në para sikur që përmes avokatëve, prokurorëve apo gjykatësve të korruptuar i kanë liruar nga arresti pasi iu kanë zhvatur një shumë të madhe parash. Sidomos kështu kanë vepruar me diasporën shqiptare të cilët i kanë arrestuar apo dënuar për vepra që nuk kanë ekzistuar fare.
Në kufirin Kosovë-Serbi, në Llap shumë herë ka pasur probleme ndërkufitare, me arrestime, gjuajtje armësh sikur edhe vrasje të qytetarëve të Kosovës. Incidentet ndërkufitare ndodhin kryesisht nga ata që bëjnë tregti të palejuar-kontrabandë nga të dyja palët, në rast të vjedhjeve të pyllit apo bagëtive , në rast të gjuetisë kur gjuetarët e kalojnë kufirin, gjithashtu nga të dyja palët , në rast të gabimeve për shkak të mosnjohjes së terrenit apo kushteve klimatike dhe në rast provokimi sikur kur policia e Serbisë ndërhynë në territorin e Kosovës të cilin e konsideron si kufi administrativ dhe jo shtetërorë. Ndërkombëtarët, në këto raste janë të padrejtë sepse arsyetojnë veprimet e policisë së Serbisë ndërsa reagojnë menjëherë nëse policia e Kosovës e arreston ndonjë shtetas të Serbisë.
Kohë më parë, policia e Serbisë e ka arrestuar H.M., gjuetar nga një fshat i Podujevës i cili e ka kaluar kufirin për ta kthyer prapa qenin e gjuetisë-zagarin, e ka mbajtur në burg më shumë se dy muaj dhe vetëm pasi i kanë zhvatur një sasi të madhe parash, e kanë liruar.
Sipas informatave që i ka KMDLNj-së, të arrestuarit për kalim ilegal të kufirit e që janë, kryesisht në Burgun në Prokupje nuk trajtohen keq dhe ndaj tyre nuk ushtrohet dhunë sikur që iu lejohen vizitat familjare dhe e avokatëve .
KMDLNj shpreh vullnet dhe gatishmëri që të vizitojë shtetasit kosovarë që mbahen të arrestuar në burgjet e Serbisë nëse qeveria e Kosovës përmes zyrës ndërlidhëse e siguron një leje nga qeveria e Serbisë.
KMDLNj kërkon që Blerim Maqastena të lirohet menjëherë dhe fton autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e tij për faktin se nuk ka bërë asnjë vepër me qëllim të caktuar dhe se moti me mjegull dhe mungesa e sinjalizimit të kufirit kanë ndikuar ta gabojë rrugën.
KMDLNj vlerëson se çdo mbajtje e mëtutjeshme në burg e Blerim Maqastenës do të bëhet për shkaqe politike dhe si e tillë duhet të trajtohet .