Përkundër vendimit të Gjykatës së Apelit për zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë më të butë (lajmërimi i detyrueshëm në polici) për të arrestuarin Ukë Rugova, me vendimin e një prokurori të EULEX –it të Prokurorisë Speciale të Kosovës u riarrestua menjëherë pas lirimit deputeti i Kuvendit të shpërbërë të Kosovës, Ukë Rugova që për KMDLNj – në paraqet shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria
“Aq më parë që masa e paraburgimit ka mundur të zëvendësohet me një masë tjetër (arrest shtëpiak, konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit, pamundësimi i kontaktimit dhe ndikimit në dëshmitarë) dhe në këtë mënyrë do të eliminoheshin pretendimet dhe arsyetimet e prokurorit për mundësinë e largimit nga Kosova si dhe ndikimi i mundshëm mbi dëshmitarë”, thuhet në një njoftim të KMDLNj-së.
Arrestimi apo vazhdimi i paraburgimit është masë e skajshme që shqiptohet në raste të veçanta dhe e humbë kuptimin në rast se personi mbahet më tepër se 4 muaj në paraburgim siç është rasti me të arrestuarin Ukë Rugova. KMDLNj, në asnjë rast nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e prokurorisë dhe kompetencat e prokurorit të rastit në fjalë sikur që nuk e paragjykon fajësinë apo pafajësinë e Ukë Rugovës, por kërkon të respektohen të drejtat e personave të privuar nga liria për një hetim të pavarur, të pandikuar politikisht si parakusht për një gjykim të drejtë si dhe mospërdorimin e standardeve të dyfishta në raste të ngjashme e që po bëhen në rastin e Ukë Rugovës.