Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut fuqishëm ka kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së duke e kontestuar edhe nga forma e sidomos nga përmbajtja.
“Kjo Gjykatë është Gjykatë që dënon vetëm njërën palë ndërluftuese, i dënon vetëm të akuzuarit shqiptarë (Gjykatë e drejtuar kundër një etnie!!), amniston të dyshuarit për krime lufte të përkatësisë etnike serbe, është faturë apo mbulesë për dështimin e Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e tash të EULEX-it të cilat kanë shërbyer si instrumente juridike për realizimin e qëllimeve politike siç janë (mirëmbajtja e situatës së sigurisë, baraspeshimi i arrestimeve dhe dënimeve duke e shpërndarë përgjegjësinë për krime në bazë të formulave matematikore, imponimi i marrëveshjeve politike përmes kërcënimit e të tjera).
Në këtë mënyrë është dhunuar drejtësia dhe u janë mohuar skajshmërisht të drejtat e viktimave pavarësisht përkatësive të tyre etnike, bindjeve politike, statusit material, bindjeve fetare dhe përcaktimeve të tjera. Drejtësia ndërkombëtare nuk njeh praktika dhe raste kur 15 vite pas përfundimit të luftës formohet një Gjykatë e cila do të ndajë drejtësi në baza etnike dhe e motivuar politikisht siç është rasti i Kosovës. Aq më parë që Kosova gjatë tërë kësaj kohe ka qenë nën administrimin e rreptë ndërkombëtarë në një raport thuaja gjysmë kolonialist.
KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë (1 janar 1998 – 11 qershor 1999) pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. KMDLNj gjithashtu kërkon përgjegjësi penale, morale dhe politike për të gjithë ata që kanë planifikuar krimin, e kanë urdhëruar krimin, e kanë bërë krimin por edhe për ata që nuk e kanë penguar krimin. Edhe përgjegjësit për krime lufte KMDLNj nuk i ndanë në baza etnike. Gjykata Speciale që po formohet në Kosovë e bënë pikërisht këtë duke krijuar situata ku qartazi diskriminohen në baza etnike edhe viktimat, edhe të dyshuarit për krime lufte.
KMDLNj nuk e paragjykon fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve eventualë sepse kjo vërtetohet pas administrimit të provave dhe me një vendim të formës së prerë të një gjykate kompetente. Prandaj e përkrah Fondin për sigurimin e mbrojtjes për të akuzuarit siç kanë vepruar edhe të gjitha shtetet e dala nga ish Jugosllavia e që kanë qenë të përfshira në konfliktet e armatosura siç janë: Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia të cilat kanë pasur mjete të ndara për mbrojtjen e të akuzuarve. Edhe në kohën e UNMIK-ut ka pasur përpjekje për themelimin e Fondit për mbrojtjen e të akuzuarve për krime lufte por është penguar nga ndërkombëtarët ndërkaq që ndërkombëtarët nuk kanë penguar themelimin e fondeve të ngjashme në vendet e ish Jugosllavisë.
Prandaj në Kosovë janë formuar Fonde private për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë të cilat nuk janë mbikëqyrur nga askush duke krijuar dyshime për keqpërdorime të shumta të këtyre fondeve.
Të akuzuarit kanë të drejtë për mbrojtje ligjore nga shteti dhe kjo e drejtë nuk mund t’u mohohet.
KMDLNj kërkon që mjetet e ndara për Fondin për mbrojtjen e të akuzuarve për krime të UÇK-së të ndahen vetëm për periudhën e kohëzgjatjes së veprimeve luftarake (1 janar 1998 – 11 qershor 1999). Për krimet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës (pas 11 qershorit 1999) KMDLNj vlerëson se nuk duhet të ndahen mjete për mbrojtje nga ky Fond.
Nëse të dënuarit detyrohen t’i vuajnë dënimet jashtë Kosovës atëherë shpenzimet për familjet e të dënuarve duhet t’i mbulojë Kosova apo shtetet ku të dënuarit i vuajnë dënimet. Njëra ndër të drejtat elementare të njeriut për personat e privuar nga liria është që dënimet t’i vuajnë në burgjet, qendrat korrektuese, llogoret, kampet e përqendrimit apo lokacione të tjera që janë më afër vendit ku jeton i dënuari apo familja e tij. Në rastin konkret kjo e drejtë po u shkilet të dënuarve në mënyrë flagrante!
KMDLNj është e bindur se kjo Gjykatë do ta ketë fatin e Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut dhe gjykatave të EULEX-it sepse nuk po themelohet për të ndarë drejtësi duke i dënuar të gjithë të akuzuarit për krime lufte pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, statusit ekonomik dhe social, postit që e mbanë apo bindjeve fetare. Kjo Gjykatë më së paku do të kontribuojë në shpagimin e viktimave dhe rehabilitimin e tyre të të gjitha përkatësive etnike, politike, fetare etj. por e bënë pikërisht atë që nuk duhet ta bëjë, i përkufizon përgjegjësitë e të akuzuarve por edhe viktimat ekskluzivisht sipas parimit etnik.
KMDLNj gjithashtu fton mediat e shkruara dhe elektronike të mos paragjykojnë fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve duke i cilësuar që tani, pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente duke i shpallur si kriminelë dhe duke përmendur emra dhe mbiemra të këtyre “kriminelëve”. Mos ta bëjmë punën e hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve sepse nuk jemi të thirrur e as të kualifikuar ta bëjmë këtë”, thekson KMDLNj.