Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka njoftuar se për 8 muaj kanë vdekur katër të burgosur me diagnozë terciare.
Komunikata e plotë :
Sipas informatave të KMDLNj–së, i burgosuri R.S., i lindur në Therandë më 17.10.1970, ka vdekur mbrëmë në ora 22:55 në Klinikën e Neurologjisë së SHSKUK–së për shkak të kancerit malinj në pelvik i cili është shpërndarë në pjesët tjera të trupit. Në kuadër të mundësive ekzistuese, i burgosuri R.S. që ishte në vuajtje të dënimit nga viti 2016 ishte trajtuar brenda Stacionarit në Burgun e Dubravës për t’u dërguar pastaj në Klinikën e Neurologjisë ku ka qenë i shtrirë e cila tërë kohën ka bashkëpunuar me Kliniken e Onkologjisë për trajtimit e tumorit dhe të metastazave mirëpo për shkak të rritjes së masës së tumorit dhe metastazave të shumta, gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar shumë andaj edhe ka ndërruar jetë. Duhet të theksohet se ky rast ishte në mesin e 25 rasteve të ngjashme që, me fillimin e pandemisë ishte dërguar te gjykata dhe institucionet tjera kompetente duke kërkuar lirimin e tyre por se ishte refuzuar në mungesë të aktit përkatës ligjor.
Praktikat e deritashme që, për shkak të diagnozës terciare, sëmundjeve të pashërueshme, të burgosurve t’iu mundësohet ta pezullojnë dënimin e ka një përparësi që i mundëson të burgosurit të vdesë në shtëpi, pranë familjes dhe ta ulë numrin e të dënuarve që vdesin në burgje e që menjëherë bëhet lajm, pavarësisht kushteve dhe rrethanave të vdekjes. Në këtë mënyrë i shkaktojnë shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve që bëjnë përpjekje, në kuadër të mundësive që i kanë, të trajtojnë raste të tilla. Qartazi, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, përkundër vullnetit, nuk ka kapacitete profesionale të mjaftueshme të trajtojë raste me diagnoza terciare kurse trajtimi në Klinikat përkatëse përcillet me shumë pengesa dhe probleme, nga ato logjistikie, deri te ato të sigurisë. Pikërisht për këtë, KMDLNj ka propozuar që të formohet një Komision i Pavarur Shëndetësor që do të trajtonte këto raste dhe i cili do të dilte me propozime konkrete, jo për pezullim të përkohshëm të dënimit, por për ndërprerje të dënimit. Nga kjo ndërprerje do të përjashtoheshin kryerësit e veprave skajshmërisht me rrezikshmëri të lartë dhe që paraqesin rrezi për sigurinë e përgjithshme e që do të duhej të saktësohej me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale. KMDLNj propozon që të amandamentohet LESP-i në mënyrë që të dënuarit me diagnoza terciare do të liroheshin nga vuajtja e dënimit ose dënimi do t’iu zëvendësohej me një masë tjetër e që më i përshtatshmi do të ishte arresti shtëpiak.
Shteti, përveç ndëshkimit për kryerësit e veprave penale që parashihen me ligjet në fuqi, duhet ta ketë parasysh edhe aspektin humanitar për raste që pashmangshëm përfundojnë me fatalitet për të burgosurit përjashtuar rasteve që u cekën në lartë dhe që, në Ligjin e rishikuar do të saktësoheshin qartë duke krijuar një bazë ligjore, edhe për gjykatësit që i trajtojnë këto raste me propozim të Komisionit Shëndetësor, SHKK apo institucioneve tjera.
Deri sa të kemi paqartësi dhe mungesë të bazës përkatëse ligjore , të burgosurit me diagnoza terciare do të vazhdojnë të vdesin (të tillë janë 20 të burgosur), SHKK -ë dhe SHSHB-ve do të vëhen në situatë të rëndë pa pasur ndonjë përgjegjësi konkrete, familjarët do të dyshojnë se nuk iu është ofruar shërbim i nevojshëm për anëtarë të familjeve që kanë vdekur si të burgosur si dhe dhe do të humbë besimi në këto institucione.
KMDLNj i shprehë ngusëllime familjes së R.S. Të burgosurit që ka vdekur sikur që kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime që të parandalohen këto raste të vdekjeve në burgje përmes ndryshimit të LESP- it dhe krijimit të një baza ligjore që e rregullon këtë çështje e që për KMDLNj–ë është çështje ekskluzivisht humanitare dhe e drejtë njerëzore.