Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ftuar Prokurorin e Shtetit të hetojë pretendimet e presidentit, Hashim Thaçi dhe ish- kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendësi i tij, Haki Abazi dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, kanë hyrë në Dhomën e Përgjimeve.
KMDLNj vlerëson se ky rast duhet të trajtohet nga Prokuroria e Shtetit me një prioritet të lartë dhe pas përfundimit të hetimeve duhet të adresohet përgjegjësia konkrete qoftë për shqetësim të opinionit përmes shpifjeve , qoftë për ndërhyrje ilegale dhe të paautorizuar në Dhomën e Përgjimeve.
“Në rastin konkret nuk mund të jenë dy të vërteta dhe nëse Prokuroria e Shtetit e kalon në heshtje këtë çështje do të bartë përgjegjësi për legalizim të shpifjes ose për rrezikim të privatësisë për qytetarët e Kosovës të drejtat e të cilëve po shkelen rëndë në rastin konkret”.
“Fjala apo dyshimi publik ka përgjegjësi publike, morale, politike dhe penale prandaj vetëm një hetim i shpejtë, i paanshëm dhe profesional mund dhe duhet ta adresojë përgjegjësinë konkrete, të mbështetur në prova e jo në spekulime”.
Ky këshill thekson se është i shqetësuar për “fjalorin fyes, kërcënues dhe të turpshëm që po e përdorin politikanët e Kosovës për ta diskredituar njëri-tjetrin, në mungesë të fakteve apo ideve që kontribuojnë për të mirën e qytetarit”.