Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), vlerëson se pikërisht në kohën e balotazhin për kryetar të komunave duket se është intensifikuar përpjekja që përmes akuzave të ndikohet drejtpërdrejt në rezultatet përfundimtare të balotazhit.
Gjuha e disa mediave nuk ka karakter të gazetarisë hulumtuese apo të informimit objektiv që do të duhej të ishte detyrë parësore, por kjo gjuhë nuk dallon fare, as nga forma e as nga përmbajtja nga teksti i një prokurorie në formë aktakuze apo nga një vendimi të trupit gjykues. Kjo praktikë që në fund të fundit e dëmton besueshmërinë e vet medias përforcohet kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, para apo gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme politike apo të tjera, thuhet në një reagim të KMDLNJ-së.Për të dëshmuar se mandati i informimit po shndërrohet në ritual të linçimit publik, KMDLNJ i jep dy shembuj: njëri që ka të bëjë me kandidatin e partisë në pushtet për kryetar komune në Prizren dhe tjetra për kandidatin për kryetar komune të Prishtinës nga radhët e partisë më të madhe opozitare.
Rasti i parë titullohet: “Sot rrëfehet para trupit gjykues i korruptuari Ramadan Muja”. Këtu rëndë dëmtohet integriteti moral dhe njerëzor i kryetarit të komunës së Prizrenit i cili shpallet fajtor (i korruptuari) ende pa përfunduar gjykimi dhe pa një vendim të prerë të një gjykate kompetente. Ky veprim është i kundërligjshëm dhe i dënueshëm sepse bëhet me qëllim të dobësohet pozicioni politik i kryetarit aktual para votimit në balotazh të datës 1 dhjetor për kryetar komune.
Në rastin e dytë përmes titullit: “Sami Hamiti dyshohet se shiti 1.5 hektar të tregut të madh të kryeqytetit”, në fakt sulmohet kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa në mënyrë të tërthortë sepse: “veprimet kriminale të Sami Hamitit po mbulohen nga kryetari në detyrë i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa i cili kur e ka marrë mandatin ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve të paligjshme”. Është interesant se së pari në titull Sami Hamiti vetëm dyshohet se shiti 1.5 hektar ndërsa më poshtë ai decidivisht thuhet se: “veprimet kriminale të Sami Hamitit…”. Këtu hiqet çdo dyshim dhe me një “vendim gjykate” të gazetarit përcaktohet fajësia e Sami Hamitit dhe Isa Mustafës. Pastaj, thuhet se janë vjedhur 95 vota në favor të Isa Mustafës…!
Thuaja se këto janë përcaktuese për fitoren apo humbjen e Isa Mustafës e që nuk ka të bëjë fare me realitetin kur dihet epërsia e madhe prej disa mijëra votave që ka kryetari i Prishtinës në garë për balotazh. Edhe këtu qëllimi është shumë i qartë, përpjekje për dobësim të pozicionit politik para balotazhit për kryetar të Prishtinës.
KMDLNJ u bën thirrje të gjitha mediave të shkruara dhe elektronike të punojnë në përputhje me mandatin e përcaktuar siç është informimi i drejtë, i paanshëm dhe hulumtues përmes së cilit do të krijohej një opinion objektiv duke luftuar dukuritë negative që e dëmtojnë lexuesin dhe shoqërinë! Në këtë mënyrë do të ndihmohej hetuesia dhe gjyqësori. Në të kundërtën, ngatërrimi i kompetencave, me qëllim apo pa qëllim duke paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve ndikon në procesin e hetimeve si dhe vendimin e gjykatave dhe si i tillë paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe të ligjit – përfundon reagimi i KMDLNJ-së.