(2LONLINE) – Klubi Rotarian Gjilan, ka vazhduar me aktivitetin e tij tani më tradicional, “Darka e fundvitit”, aktivitet ky bamirës, e ku përveç rotarianëve gjilanas morën pjesë edhe përfaqësues nga Klubi Rotarian i Ferizajt si dhe miq të tjerë, e mysafirë special që e nderoi këtë aktivitet rotarian, ishte edhe kryetari i ri i komunës së Gjilani Lutfi Haziri.
Muhamet Halili, kryetar i RC Gjilan, ka bërë të ditur se edhe në këtë fundvit, Klubi rotarian Gjilan, po e organizon “Darkë e fundvitit’, që përveç karakterit të shoqërimit dhe kënaqësisë ë që e ndjejnë rotarianët në takime të tilla të përbashkëta, ka edhe karakter bamirës, sepse mjetet e grumbulluara do të përdorën për ndonjë projekt në shërbim të komunitetit lokal.
E, në bashkëpunim dhe me rotarianë dhe të pranishëm të tjerë, u dakordua që me mjetet e grumbulluara të blihen dhurata për t’u shpërndarë për fëmijët e dy banesave kolektive sociale që janë në Gjilan, e ku janë të vendosura afërsisht 50 familje.
Halili po ashtu ka falënderuar prezencën në këtë darkë, por edhe kontributin personal për këtë aktivitet bamirës, të kreut të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri , sikur si të gjithë rotarianët tjerë dhe mysafirë të pranishëm në këtë darkë.
Nga ana e tij, kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se ndihet i nderuar që është ftuar në një darkë me karakter të tillë, nga një strukturë e tillë e njerëzve që angazhohen për të bërë punë të mira.
Haziri i ka njoftuar të pranishmit se sapo ka marrë detyrën e kryetarit dhe se në këtë drejtim do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjithë, e në këtë rast edhe me rotarianët, për t’u bërë punë të mira për Gjilanin dhe qytetarët e saj.
Afrim Konjufca nga RC Ferziaj tha se me kënaqësi iu janë përgjigjur ftesës për të qenë në këtë Darkë edhe për shkak të shoqërimit me miq rotarian dhe dashamirë të tjerë, por edhe për të qenë pjesë e përkrahjes së një aktiviteti të tillë bamirës.
Mysafirët u përshëndetën dhe u falënderuan për prezencën dhe mbështetjen e këtij aktiviteti edhe nga rotariani i RC Gjilan, Bob Simons, ndërsa thesartari i Klubit Naim Shaqiri ka bërë të ditur se mjetet e grumbulluara do të përdoren për të blerë dhurata për fëmijë nga blloku i banimit social në Gjilan, e të cilat dhurata, në njërën nga ditët në vijim do të shpërndahen përmes “Babadimrit rotarian” – rolin e të cilit do ta kryej rotariani gjilanas Fatos Qerimi , ndihmuar edhe nga rotarian të tjerë të RC Gjilan. /2lonline/