(2LONLINE) – Drejtues të Klubit të Karatesë “Drita” nga Gjilani, vlerësojnë sek y klub përfundoi me sukses të lakmueshëm vitin 2013. Aktiviteti i fundit ku karateistët e këtij klubi morën pjesë ishte ai në Tiranë ku u mbajt turneu i XIII-të mbarëkombëtar.
Ky ishte aktivitet i cili u organizua nga Federata Shqiptare e Karatesë ku garat u zhvilluan në kata dhe kumite për grupmoshat kadet, junior dhe senior. Në këtë turne nga klubi i karatesë “Drita” mori pjesë vetëm Elhami Shabani i cili u stolisë me dy medalje të artë në kumite tek seniorët (në gara individuale dhe në ato ekipore) me çka u shpall edhe kampion mbarëkombëtarë.
Në vitin 2013 në përgjithësi karateistët e klubit të karatesë “Drita” kanë marrë pjesë në turne të ndryshëm në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Turqi, etj edhe atë në gjitha kategoritë duke filluar nga mosha 7 vjeçare, pionier, kadetë të rinj, kadetë, juniorë dhe seniorë.
Karateistët e klubit të karatesë “Drita” kanë marrë pjesë në turne të ndryshëm nëpër Kosovë dhe rajon, kanë marrë pjesë edhe në kampionatin botëror të shotokanit, kampionatin evropian të shotokanit dhe në kupën e botës në shotokan të cilat kampionate të organizuara nga WSKU.
Se sa janë këto kampionate prestigjioze tregon edhe fakti se në këto kampionate marrin pjesë edhe kampionët e shumë shteteve të botës si dhe kampionë të kontinenteve të ndryshme. Se sa kanë qenë të suksesshëm karateistët e klubit të karatesë “Drita” dëshmon fakti që në kampionatin evropian të shotokanit të mbajtur në Bursa të Turqisë karateisti më i mirë i Dritës, Elhami Shabani ka mposhtur edhe kampionin evropian në kategorinë WKF si dhe ka mposhtur edhe kampionin aktual të Turqisë.
Elhami Shabani këtë vit është shpallur nënkampion i Botës në prill si dhe është bërë kampion i Evropës me ekiporen e Kosovës si dhe nënkampion i Evropës në atë individuale dhe presim që shpallet edhe sportisti më i mirë në komunën e Gjilanit pasi që ka arritur rezultat shumë të lartë si në arenat kombëtare po ashtu edhe në arenat ndërkombëtare.
Klubi i karatesë Drita në vitin 2013 morri pjesë me gjithsej 19 turne të ndryshëm ku arriti që ti fitoj gjithësejt 184 medalje ku prej tyre 71 ishin të arta, 40 të argjendta dhe 73 të bronzta.
Kryetari i klubit të karatesë “Drita” Arsim Ibrahimi vlerësoi lartë punën e palodhshme dhe kontributin e kryetrajnerit Blerim Hajdari dhe të dy trajnerëve Agron Tosuni e Selami Haziri si dhe vlerësoj shumë pozitivisht edhe rezultatet e arritura të karateistëve të cilët në çdo garë ku kanë marrë pjesë kanë qenë vazhdimisht në mesin e klubeve më të suksesshme të turneut.
Sipas tij se sa kanë qenë karateistët më të sukseshëm në vitin 2013 në krahasim me viti 2012 shihet më së miri nga medaljet e arta të fituara në vitin 2013 që janë 71 medalje të arta në krahasim me 26 medalje të arta sa i patën fituar në vitin 2012.
Ndërsa kryetrajneri i i KK Drita Blerim Hajdari shtoi se ky vit ishte mjaft kualitativ në të cilin vazhduan të shkëlqejnë karateistët e tanë duke u kthyer nga garat e ndryshme me medalje të shumta. Pastaj i njëjti vazhdoi se falënderon komunën e Gjilanit, Federatën e Karatesë së Kosovës, gjimnazin “Zenel Hajdini, kryesinë e klubit dhe karateistët e K.K. “Drita” në kontributin e dhënë në zhvillimin dhe afirmimin e karatesë.
Në kategorinë e femrave duhet veçuar Vesa Ibrahimin dhe Vlera Qerimin. Ndërsa prej karateistëve të tjerë të cilët treguan suksese si në arenat në Kosovë, në rajon dhe ato ndërkombëtare duhet të përmenden edhe Albiona Asllani, Erit Bajrami, Benjamin Shabani, Betim Maliqi, Endrit Beka, Lorik Arifi, Arijanit Suli, Arijana Asllani, etj. /2lonline/