Klubi Futbollistik i komunës së Gjilanit “Bashkimi 1941” edhe pse në kushte pandemie, sezonin vjeshtor, sa i perket ndeshjeve futbollistike, i përfundoi me suksese modeste.
Por klubi, përveç ndeshjeve futbollistike pati edhe zhvillime tjera: si administrative brenda klubit e jashtë tij e angazhime tjera. Në kuadër të përfundimeve të punëve të ndryshme të klubit, më 07. 12. 2020, në zyret e Stadiumit Ndihmës në Gjilan, delegatët e këtij klubi mbajtën Kuvendin Zgjedhor për kryetar të ri të klubit me të vetmen pikë të rendit të ditës:
Zgjedhja e kryetarit të klubit
Në mbledhjen e kuvendit morën pjesë 23 delegatë të klubit si dhe përfaqësuesi i komunës, përkatësisht zyrtari i sportit Armend Misini.
Mbledhjen e hapi Sherif Këqiku i cili foli për nevojën e zgjedhjes së kryetarit të ri të klubit, pasi që është edhe kërkesë e Federatës së Futbollit të Kosovës që secili klub të ketë edhe kryetar. Ai pasi bëri një hyrje të shkurtër për punën e klubit gjatë këtij viti, propozoi Ramadan Ahmetin për kryetar të ri të klubit. Pasi nuk pati propozime tjera, me votim unanim të delegatëve, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, kryetar i ri, për katër vjet, zgjedhet Ramadan Ahmeti.
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të klubit “Bashkimi 1941”, Ramadan Ahmeti pasi falemnderoi të gjithë delegatët dhe të pranishmit e tjerë për besimin që ia dhanë, tha se këtë vit për shkak të pandemisë kemi pasur vështirësi në realizimin e objektivave tona, megjithatë jemi angazhuar maksimalisht dhe kemi pasur rezultate të mira. Pandemia do të ndikojë edhe në fillimin e mbarë të sezonit pranveror, por shpresojë shumë se nga sezoni vjeshtor i vitit të ardhshëm do të angazhohem maksimalisht që klubin “Bashkimi 1941” nga liga e tretë do ta ngrisë në ligën e dytë. Poashtu ai premtoi se do ta hap Shkollën e Futbollit të klubit, klubin e veteranëve, do të përmirësoi kushtet e lojtarëve, do të angazhoi më shumë staf të klubit si dhe do të angazhohet të gjej donatorë që ta ndihmojnë klubin në bazë të ligjit për sponzorizim etj.
Ramadan Ahmeti para delegatëve paraqiti një historik të shkurtër të klubit “Bashkimi 1941”. Ai ndër të tjera tha se, ky klub është klubi më i vjetër i qytetit i formuar në vitin 1941 dhe i cili ka funksionuar deri në vitin 1944. Më vonë ne, gjegjësisht unë e kam riaktivizuar dhe në vitet e 50-ta deri në të 60 –ta kemi pasur suksese të lakmueshme dhe kemi qenë në ligën e parë derisa ishim kandidatë për ligën e parë. Klubi “Bashkimi 1941” ka qenë ndër klubet më të mira të qytetit, si për nga kualiteti i lojës e cilësisë . Kemi pasur ndeshje kampionale, miqësore etj. Në të gjitha këto angazhime, pothuajse kemi qenë të barabarta me klubin “Drita” dhe “Gjilani”, vetëm se kemi qenë në ligën e dytë.
Mirëpo viteve të fundit në mungesë të mjeteve materiale, interesimit jo të mjaftueshëm të gjithë akterëve të klubit, diciplinës e faktorëve tjerë, klubi ka pësuar rënje. Mirëpo, tani mendojmë se do ta ngrisim nivelin e lojës, cilësinë e lojtarëve, ushtrimet, ndihmës nga komuna e donatorët. Kështu shpresojmë se klubin do ta ngrisim në nivelin e duhur.
Kryetari i ri, Ramadan Ahmeti falemnderoi komunën, Drejtorinë e Kulturës e posaçërisht koordinatorin e sportit Z.Armend Misinin, i cili është angazhuar shumë dhe ka ndihmuar klubin me të gjitha mundësitë që i ka pasur. Ai nuk është kursyer asnjëherë duke i dal në ndihmë të gjitha klubeve, por posaçërisht klubit tonë duke na mundësuar lojën në fushë në çdo kohë që kemi pasur nevojë, ndërsa tani na është ndarë edhe një zyre me të gjitha paisjet e cila do të na mundësojë funksionimin shumë më të mirë të klubit.
Pas fjalës së kryetarit të ri Ramadan Ahmeti, kuvendin e përshëndeti koordinatori i Sportit Z.Armend Misini i cili uroi kryetarin e ri dhe premtoi se Komuna e Gjilanit, Drejtoria e Sportit dhe ai personalisht do ta ndihmojnë klubin me të gjitha mundësitë që i kanë.
Poashtu edhe z.Shemsedin Abazi ish-bashkëlojtar i Ramadan Ahmetit, lojtari më i njohur dhe golashënues më i mirë i qytetit të Gjilanit i uroi Ramadan Ahmetit postin e ri duke i dëshiruar suksese të mëtutjeshme. /Genc Tafili//2LONLINE.com/