Dy klubet gjilanase, Drita dhe Gjilani të premtën kanë takimet e rradhës me fillim nga ora 13:30.
Ndeshja që do të zhvillohet si vendas në Stadiumin e Qytetit në Gjilan është ajo mes kampionit në fuqi, Dritës dhe Drenicës.
Drenica është vetëm një pikë para Dritës dhe shumë lehtë mund të kalojë në zonën e rrezikshme, ndërsa edhe Drita me dy pozita më poshtë se Drenica po bënë hapa të mbrapsht duke shkuar ka zona e barazhit. Kështu, pikët janë esenciale për të dyja klubet për vazhdimin e kampionatit, sado që është herët për t’u identifikuar në pozita të mbijetesës.
Në anën tjetër, përballja e kuq e bardhëve nga Gjilani zhvillohet në Prizren, ku Kf.Gjilani i shkon mysafir Lirisë. Edhe kjo përballje është po aq e rëndësishme për të dyja klubet, pasi jilani po lufton për një pozitë të mirë dhe të sigurt në mesin e tabelës.
Praktikisht, të dyja skuadrat gjilanase nuk mund të jenë në garë për titullin kampion dhe të dyja janë eliminuar nga Kupa e Kosovës. Kështu, ata po e vazhdojnë kampionatin pa ndonjë objektiv të synuar.
Përderisa, Gjilani ka disa vite që përfundon kampionatet me pozita stabile në mes të tabelës, Drita aktualisht është kampion i Kosovës në Superligë dhe kampion i Superkupës së Kosovës për edicionin 2017/18.
Padyshim, se Drita përbën zhgënjimin më të madh këtë edicion pasi nga skuadra kampione, e rekordeve të fitoreve vitin e kaluar, klubi që përfaqësoi Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe hyri në histori të futbollit kosovar pasi kaloi rrethin paraeliminator të Ligës së Kampionëve tani është në pozitë aspak të lakmueshme dhe po shkon kah fundi i tabelës.
Mbetet të shihet deri në fund të kampionatit se ku do jetë përfundimi i klubeve që përfaqësojnë futbollin e qytetit në Superligë dhe kanë pas vetes dy grupet më të zëshme të tifozërisë në Kosovë, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit.