Me fillimin e aplikimit të procedurave të reja, në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është ulur ndjeshëm numri i referimeve jashtë vendit gjatë vitit 2021.
Vitin e kaluar, për trajtimin e syrit, 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore jashtë vendit, derisa më herët numri i tyre ka arritur deri në 500, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Brenda 12 muajve të vitit 2021, në këtë klinikë janë kryer 355 intervenime në segmentin e pasmë të syrit, kurse në 96 raste tjera është intervenuar me metodën Cross Linking- XCL.
Në periudhën janar- dhjetor, mjekët oftalmologë, bashkë me anesteziologë dhe pjesë tjetër të stafit mbështetës, po ashtu, kanë realizuar 1 mijë e 375 operime të Kataraktës së Syrit.
Numri i aplikimeve intravitreale dhe intrakamerale, sipas raportit të punës për vitin 2021, ka mbërritur në 3 mijë e 565, ndërkohë janë operuar edhe 110 pacientë me probleme në kanalet e lotit.
Gjithashtu, është duke u kryer me rregull triazhimi dhe trajtimi i Retinopatisë Prematore te fëmijët e lindur para kohe, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. /2LONLINE/