Situatë stabile dhe pa eksese që duhet veçuar është cilësuar gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë, në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
Komandanti I stacionit policor në Viti kapiten Afrim Halili, duke paraqitur statistikat për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka thënë se janë raportuar gjithsejtë 265 raste të ndryshme, prej të cilave 255 janë hetuar, ndërkohë që rastet tjera të mbetura janë dërguar për hetime të mëtejme nga njësia hetuese.
Sa i përket aksidenteve, ai theksoi se ka rënie të rasteve, ku gjithsejtë për këtë periudhë janë raportuar 23 aksidente.
Kurse duke folur për dhunën në familje, kapiteni Halili tha se janë shpeshtuar rastet e raportimit të dhunës në familje në organet policore, gjë që më parë raportimet kanë qenë më të vogla.
Ndërkaq kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vlerësuar punën e mirë që po e bënë KKSB-së, në trajtimin e problemeve të qytetarëve, ndërkohë që ka njoftuar për një sërë projektesh që janë duke u realizuar.
Lidhur me akuzat që I janë bërë Institucioneve komunale rreth punimeve që janë bërë në rrugën nga Xhamia e deri në dalje të Vitisë, Haliti tha se kanë qenë të pabaza, pasi që këto punime janë bërë në emër të garancisë së asfaltit, gjë që kompania punë kryese nuk e ka bërë punën si duhet.
Madje, përfaqësuesi i degës së Bashkësisë Islame në Viti Husamedin Hoxha, ka kërkuar falje Institucioneve komunale në emër të kësaj bashkësie, për akuzat që një imam I ka bërë në ligjëratën e tij, lidhur me rrugën në fjalë.
Në këtë mbledhje të KKSB-së, është prezantuar edhe Plani I Veprimit për shënimin e Festës fetare të “Zojës së Madhe” në fshatin Letnicë.
Nga drejtori I Drejtorisë së Shërbimeve publike Nexhmedin Jakupi, u tha se me qëllim sa më të mirë të shënimit të kësaj feste fetare, e cila mbahet më datë 14 dhe 15 gusht dhe duke pasur parasysh, grumbullimin e një numri të madh të qytetarëve nga të gjitha pjesët e Kosovës, si dhe mysafirëve edhe nga shtetet fqinje dhe tjera, Institucionet Komunale obligohen që secila në fushën e vet, të shërbimet e nevojshme të cilat kërkohen nga këto Institucione.
Në këtë plan pos Drejtorisë së Shërbimeve Publike, janë të angazhuara edhe Shërbimi i zjarrfikësve, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Drejtoria e Inspektoratit, policia e Kosovës, Kompania “Eco Higjiena”, kompania e ujit “Hidromorava” etj.