Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në takimin e udhëhequr nga Bejtullah Osmani, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Gjilan.
Sa përket fenomenit të vjedhjeve të shtëpive, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, major Agim Lipovica, ka njoftuar se me arrestimin e dy personave të dyshuar, njëri nga Gjilani dhe tjetri nga Lipjani, rastet e vjedhjeve janë ndalur.
Ndërkohë, në këtë mbledhje u tha se nuk ka rritje të rasteve të dhunës në familje, por ka vetëdijësim për raportim të rasteve.
Gjatë raportimit në këtë mbledhje të KKSB-së, Linditë Salihu, zyrtare për barazi gjinore dhe koordinatore e Mekanizmit kundër dhunës në familje, tha se Komuna në vazhdimësi organizon aktivitete vetëdijësuese për ta raportuar dhunën kushdo që e përjeton, e sheh apo e dëgjon se diku po ndodhë dhunë.
Në këtë takim të KKSB-së u tha se është shqetësuese dhuna verbale në shkolla, që hyjnë fyerjet, kërcënimet e gjykimet mes nxënësve, ku për ta evituar u kërkua forcim i bashkëpunimit të trekëndëshit prindër – nxënës – mësimdhënës, sikurse edhe shtim të numrit të psikologëve këshillues në shkolla. Në këtë aspekt, koordinatori i KKSB-së, Bejtullah Osmani, tha se Drejtoria për Arsim tashmë ka shpallur konkursin për punësimin e psikologëve në shkolla.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe drejtorët komunalë, Ali Arifi, Enver Shabani e Kushtrim Zeqiri. /2LONLINE/