/2L ONLINE/ – Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi në Viti, ka mbajtur sot , mbledhjen e rregullt, në të cilën ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Vitisë si dhe ka formuar grupin punues për hartimin e planit të veprimit të këtij këshilli për vitin 2017.
Në mbledhjen e KKSBS-së krahas përfaqësuesve të këtij mekanizmi konsultativ të sigurisë, ka prezantuar edhe kryetari i komunës, Sokol Haliti, i cili pasi ka vlerësuar lartë punën që po bënë ky mekanizëm i sigurisë, ka kërkuar një angazhim shtesë të KKSB-së, në parandalimin e dukurive devijante që po paraqiten në shoqëri.
“Institucionet komunale janë të përkushtuara dhe po angazhohen shumë që qytetarëve t`iu sigurojmë një ambient të sigurt, dhe në këtë drejtim krahas angazhimeve që jemi duke bërë në lirimin e hapësirave publike kemi realizuar edhe shumë projekte që lidhen drejtpërdrejtë me sigurinë e qytetarëve, ku vetëm në qytetin e Vitisë, kemi realizuar 24 projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me ndriçimin publik, rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve dhe trotuarve, vend-parkingjeve etj.”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai ka theksuar se ky angazhim i komunës për siguri më të madhe të qytetarëve do të vazhdoi edhe në të ardhmen me rregullimin e sinjalistikës në rrugët brenda qytetit dhe rrugët në lokalitete të ndryshme, pastaj me rregullim të trotuareve nëpër vendet më të frekuentuara etj.
“ Një çështje tjetër ku jemi duke u angazhuar është edhe bashkëpunimi në raport me mekanizmat tjerë , në parandalimin e dukurisë së shfaqjes së ekstremizmit fetar, dukuri kjo shqetësuese për gjithë qytetarët”, ka theksuar kryetari Haliti.
Ai ka thënë se në luftimin e kësaj dukurie është e gatshme të bashkëpunoi si me policinë ashtu edhe me Bashkësinë Islame, në mënyrë që të vazhdohet tradita e tolerancës fetare për çka Vitia është shembull për të mirë.
Këtë kërkesë të kryetarit të komunës, e kanë përkrahur edhe Policia e Kosovës, ku sipas komandantit të Stacionit Policor në Viti, kapitenit Agim Lipovica, policia është e gatshme jo vetëm të veproi por edhe të bashkëpunoi me gjithë mekanizmat institucional dhe qytetarët që një dukuri e tillë të eliminohet .
Ndërsa përfaqësuesi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, ka theksuar se ky këshill krahas angazhimit që përmes imamëve nëpër xhami të predikoi islamin e pastër, është i gatshëm të bashkëpunoi edhe me institucionet komunale dhe konfesionet tjera fetare në organizmin e ligjërata në shkolla për të edukuar gjeneratat e reja për eliminimin e çdo dukurie negative që paraqitet në shoqëri.
Këtë angazhim të komunës, Këshillit të Bashkësisë Islame dhe policisë, e kanë përkrahur edhe anëtarët tjerë të KKSB-së. Në takimin e KKSB-së, komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiteni Afrim Lipovica, ka paraqitur edhe një raport rreth rasteve që ka evidentuar policia mes dy takimeve të KKSB-së, ku ka përmendur se në komunën e Vitisë, gjatë kësaj kohe, janë shënuar 20 raste të vjedhjeve të rënda dhe 8 raste të vjedhjeve tjera, nga të cilat policia ka zbuluar 12 raste , dhe është në rrugë të mirë të zbulimit edhe të rasteve tjera të vjedhjeve.
Pastaj, janë shënuar dy aksidente trafiku ku në aksidentin e parë në Budrikë kanë humbur jetën dy persona, si dhe aksidenti tjetër në Pozheran ku është lënduar një këmbësor, si dhe ka zbuluar një rast të shpërndarjes së parave të falsifikuara, e ku pas zbulimit të këtij rasti janë zbuluar edhe 6 raste tjera të shpërndarjes së këtyre parave të falsifikuara.
“Në territorin e komunës së Vitisë, ka vepruar edhe njësiti antiterrorizëm i policisë së Kosovës, I cili ka arrestuar dy persona, si dhe njësia kufitare e cila vepruar në një rast të kontrabandimit në vijën kufitare”, ka thënë kapiteni Lipovica.
Nënkryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, në përmbledhje të gjithë diskutimeve në takim ka theksuar se si rekomandime të mbledhjes së KKSB-së janë: Rritja e nivelit të bashkëpunimit mes qytetarëve dhe policisë në parandalimin e dukurisë së vjedhjeve, rritja e bashkëpunimit mes qytetarëve, BIK-ut dhe bashkësive tjera fetare si dhe policisë në parandalimin e dukurisë së ekstremizmit fetar, organizmi i ligjëratave në shkolla për dukuritë negative përfshirë edhe ligjëratat rreth dukurisë së ekstremizmit fetar, shtimi i masave nga DSHP dhe inspeksioni për parandalimin e dukurisë së hedhjes së mbeturinave në përroska dhe lumenj./2L ONLINE/