Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhje të rregullt. Pos përfaqësuesve të këtij komiteti, kësaj radhe ka marrë pjesë edhe Kryetari i Degës së Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, pasi që nesër besimtarët mysliman do të kremtojnë festën e Kurban Bajramit.
Me këtë rast ky komitet ka shprehur urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët duke kërkuar nga ta që të respektojnë udhëzimet e ekspertëve në këtë kohë të pandemisë që të ruajnë shëndetin publik.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, gjatë këtij takimi bëri me dije se numri aktiv i qytetarëve me virusin COVID-19 në këtë komunë është 49 ndërsa dje kanë vdekur dy qytetarët të kësaj komune të cilët ishin të prekur nga ky virus por të cilët kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Haliti shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët. Ndërkaq Kryetari I Degës së Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, bëri me dije se akoma nuk ka një vendim përfundimtar të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) se si do të veprohet gjatë ditës së nesërme.
Megjithatë ai ka theksuar se pritet që sot BIK të dal me një vendim përfundimtar që më pas do të ju kumtohet besimtarëve mysliman.
Gjithashtu ai kërkoj nga besimtarët që të jenë të kujdesshëm dhe të ruajnë shëndetin publik duke potencuar se
Kjo është jo vetëm obligim ndaj njerëzve por edhe ndaj krijuesit. Ai falënderoi institucionet komunale të Vitisë, për menaxhimin e situatës me COVID-19 si dhe në veçanti për ndihmën e ofruar familjeve në nevojë gjatë kësaj kohe.
Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, potencoi se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë në këtë komunë dhe theksoj se policia po kujdesët vazhdimisht në respektimin e masave anti COVID-19.
Kurse lidhur me çështjen e Festës së Kurban Bajramit, potencoi se ata kanë pasur gjithmonë mirëkuptim të mirë me Bashkësinë Islame-Dega në Viti dhe uroi që ata të kenë këtë mirëkuptim në kohë të pandemisë, pasi që sipas tij policia është e obliguar të respektoj vendimet e nivelit qendror.
Gjithashtu në këtë takim Kryetari Haliti, ka theksuar se ata do të jenë të përgatitur në menaxhimin e situatës së pandemisë edhe gjatë festës, në veçanti stafi shëndetësor dhe zjarrfikësit por dhe të tjerë duke falënderuar ata për gatishmërinë në menaxhimin e kësaj situate.