Besa Baftiu
Kryeministri Isa Mustafa në paraqitjen e tij para mediave për raportin e punës 100 ditëshe te qeverisë LDK-PDK, paraqitej herë si viktimë për mos suksesin e tij por herë vetë lavdërohej për punën e kabinetit të tij. Edhe sot këtu në kuvend qeveria flet për punë të mira që janë bërë ndërsa opozita thotë të kundërtën. mirëpo janë qytetarët ata të cilët për këto 100 ditë nuk kanë ndjerë asgjë të mirë që është bërë për këto 100 ditë bile në këto ditë kemi pasur largim masiv të tyre nga vendi e askush nuk ik prej të mirave z. Kryeministër.
Edhe në sektorin e shëndetësisë e kemi një status quo që po vazhdon qysh prej qeverisë së kaluar. Për këto 100 ditë nuk kemi pasur furnizim të mirë të barnave. Ende pacientët duhet blerë prej shiringës e deri te penjtë. Ende duhet pritur më shumë se dy muaj për ekzaminime ehosonografike dhe rendinologjike. Si mund të pret një fëmijë me anomali në zemër e kjo po i kushton edhe me jetën. Kjo po ndodh z. Ministër i Shëndetësisë, ende pacientët tanë vazhdojnë të mos kenë kushte të trajtohen mirë në institucionet shëndetësore. Si pasojë numri i atyre që kërkojnë trajtim në vendet e regjionit është i madh. Korrupsioni në shëndetësi në të gjitha nivelet e cila sidomos në sistemin e prokurimit është i madh. Këtë e deklaroj edhe i pari i agjencisë kundër korrupsion. Pra mbetet plagë që vështirë të shërohet.
Për këto 100 ditë këtë sektor e kanë përcjellë pakënaqësi të shumta duke filluar nga protesta e pacientëve me veshkë të transplantuar të cilët kërkonin që ministria ti siguronte barnat të cilat vet nuk mund ti sigurojnë sepse janë të shtrenjta.
Ka pasur protesta e rrjetit të grave kundër keqtrajtimit të grave në lindje. Protestat e specializantëve që të paguhen për punën që e bëjnë. Protestat e sindikatës së mjekëve të uzurpimit të QKUK-së nga spitalet private, skandale me keqpërdorimet e citostatikëve dhe listës esenciale e shumë të tjera. Sa i përket programit qeverisës për shëndetësi përveç titullit që e ka shëndetësi moderne asgjë nuk ka të bëjë me shëndetësi moderne.
Të pretendosh të kesh shëndetësi moderne, do të thotë të kesh tjetër qasje ndaj problemeve të shumta në këtë sektor. Ky program nuk ka as përcjellje buxhetore as hapa se si do të realizohet.
Mbi 80% e atyre që i quajnë prioritete ose orientime programore janë në fakt përshkrimi i punës së përditshme dhe zbatim ligjor e funksional i institucioneve që merren me shëndetësinë.
Në Program të shëndetësisë flit për decentralizim ndërkohë që Ministri po deklaron vazhdimisht se do të ndjekë e zbatojë reformën e nisur më herët dhe të votuar nga ky Kuvend e cila në fakt centralizon sistemin e shëndetësisë.
Flitet në program për themelime qendrash, agjencish, institucionesh të cilave as u tregohet qëllimi as koha as kompetenca e as varësia e mbikëqyrja.
Edhe në program edhe në çdo paraqitje publike flitet për Sistemin Informativ të Shëndetësi për të cilin Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë ka që prej vitit 2010 që paguan faturën me mijëra euro të internetit ani pse ky sistem nuk ka filluar ende. Vetëm për Komunën e Prishtinës nga Ministria e Shëndetësisë paguhet fatura rreth 15 mijë euro për lidhjen e internetit të Sistemit informativ dhe ky sistem nuk ekziston fare. Kjo ndodhe për secilën Komunë të Kosovës si dhe për çdo institucion shëndetësor të Kosovës.
Madje më herët Ministria e Shëndetësisë pati blerë harduerin ende pa blerë programin softuerin. Tanimë pasi që kanë kaluar mbi 4 vite sigurisht që këto duhet të ndërrohen. Të gjitha këto janë shpenzime milionëshe. Ne kemi kërkuar dhe ende kërkojmë të bëhet sa më parë informimi i Kuvendit dhe i Komisionit parlamentar në lidhje me fondet milionëshe të dhëna nga Qeveria e Luxemburgut për këtë sistem.
Protokollet dhe hartimi i tyre janë bërë temë e diskutimit prej Ministrit të kaluar dhe ende vijojnë të jenë të shkruara në programin qeverisës dhe pjesë të deklaratave të Ministrit aktual. Nuk e dimë edhe sa vite i duhet një Ministrie të hartojë Protokollet e mjekimit. Qytetarët që janë dhe pacientët e sistemit tonë mbase nuk e dinë që në vendin tonë në spitalet tona nuk kurohen e trajtohen sipas protokolleve e rregullave profesionale e ligjore por sipas aftësisë e përgjegjshmërisë ose jo të Mjekut që kanë përballë. Çdo herë që kemi pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë tash dhe më herët kemi marrë përgjigjen se janë duke u finalizuar.
Po ashtu kemi informacione se këto protokolle janë peng i interesave klienteliste e me gjasë mafioze të atyre që merren me shpërndarjen dhe kontrabandën e barnave.
Prioritetet e programit të qeverisë për shëndetësi thuhet se janë sinkronizuar me prioritetet e strategjisë sektoriale evropiane 2014-2020 e ne vazhdojmë të jemi vendi i fundit jo vetëm në BE por edhe në rajon me buxhetin më të ulët për shëndetësi me vdekshmërinë më lartë të foshnjave. E kur i shohim se si i kanë renditur prioritetet këtu ka një jo seriozitet sepse MSH-ja në vend që të ketë një strategji për specializimin e kuadrove, krijimin e kushteve për DG trajtim të sëmundjeve maline ajo si prioritet e ka trajtimin jashtë shtetit të fëmijëve që vuajnë nga leukemia dhe sëmundjet tjera maline.
Këta kanë vendosur në program si një nga prioritet kryesore plotësimin 100% të listës së barnave esenciale dhe materialit shpenzues. Ka vetëm një mënyrë praktike si mund të realizohet kjo me këtë ndarje buxheti që ka bërë për qytetarët qeveria Mustafa-Thaçi duke e zvogëluar në minimum listën e barnave esenciale dhe kategoritë për material shpenzues.
Dhe vërtetë është skandaloze se si është gjendja qofte më listën esenciale qoftë me materialin shpenzues. Në klinikat tona mirë që pacientët janë të detyruar kryesisht t’i blejnë jashtë spitalit barnat por as garza dhe maska nuk kanë punonjësit shëndetësore. Plot prej nesh këtu e mijëra qytetarë e dinë dhe e kanë provuar se si duken spitalet tona sa i takon mjeteve e barnave. Pak më thënë si spitale në kohë lufte ose pas ndonjë katastrofe.
Agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale tash e sa kohë ka vetëm ushtrues detyre. Gjithë kjo agjenci është nën kontrollin dhe dirigjimin e interesave dhe klaneve të atyre që kontrollojnë tregun e barnave në Kosovë.
Në programin qeverisës të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit shkruhet se sektori privat i farmacisë bashkë me atë të stomatologjisë janë shumë të suksesshëm dhe do të merren si shembull edhe për sektorë të tjerë të shëndetësisë. Kjo deklaratë është alarmuese. Për çfarë suksesi flasin këta. Për fitimet që kanë kompanitë dhe depot e barnave apo për fitimin e barnatoreve private.
Sektori farmaceutik është plotësisht në kaos dhe i pakontrolluar. Në çdo barnatore mund të blihen lirisht pa recetë të mjekut, të gjitha llojet e narkotikëve, antibiotikëve dhe çfarëdo bari pavarësisht nga rreziku që bart. Po ashtu Farmacitë në Kosovë janë më shumë shitore se vende të specializuara. Farmacisti/ja e diplomuar e licencuar nuk është prezent në farmacitë tonë private. Shpesh ato janë vetëm në një ndërrim e gjatë pjesës tjetër janë teknikët ose njerëz pa kualifikim fare. Inspektorati as nuk kryen kontroll as nuk e shtron fare këtë çështje. Ka farmaci në vendin tonë me orar 24 orë dhe shumë që janë. Aty duhet të ketë tre ndërrime me Farmacistë jo më shitës. Kjo nuk është zbatuar kurrë. Ndërkohë në Kosovë janë të diplomuar e të aftë për punë 1400 farmacistë. Vetëm pak prej tyre janë të punësuar në Farmacitë private.
Si mund pra Qeveria ta marrë si shembull sektorin më të parregulluar në Kosovë për ta zbatuar edhe në sektorë të tjerë të shëndetësisë.
Flitet në program për një lidhje e bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë QKUK dhe Fakultetit të Mjekësisë.
Së pari Ministritë e së njëjtë Qeveri pra ajo e Arsimit me atë të Shëndetësisë duhet të merren vesh se gjithë këto vite ka qenë një respektim absolut i interesave klienteliste qoftë ne Fakultetin e Mjekësisë qoftë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Aktualisht studentët e Mjekësisë së përgjithshme që bëjnë praktikën në QKUK nuk kanë mundësi as të masin një herë tensionin e as të bëjnë një injeksion për shkak të numrit të lartë qoftë të studentëve, qoftë të specializantëve qoftë të çorganizimit të menaxhimit të kapaciteteve të QKUK.
Shpesh qytetarët tanë të cilët janë të varfër e të paveshur mirë diskriminohen e lihen anash gati në secilën prej klinikave.
Programi Qeveritar dhe ata që e kanë shkruar sigurish nuk i adresojnë këto çështje meqë janë në dijeni të kësaj gjendje katastrofike por njerëz brenda ministrisë, brenda qeverisë e brenda kësaj mazhorance janë të interesuar që kjo gjendje të mbetët në QKUK. Prandaj ata propozojnë vetëm masa të pjesshme gjithnjë. Ndryshime e rregullime vetëm procedurale por jo strukturore. Çdo llogaritje edhe në këtë program është një algoritëm ku janë vendosur me kujdes hapat për shtrirjen e hegjemonisë së Ministrit dhe grupit të ri në krye të Shëndetësisë rrjedhimisht edhe të LDK-së dhe Isa Mustafës. Sa herë të shihni se ka ndonjë lëvizje qoftë për QKUK qoftë për licencimin e klinikave private ajo një lëvizje për të ndërruar kahun e klientelës.
Në program flitet për Spitalin rajonal të Prishtinës si spital më vetë pastaj një paragraf më poshtë flit për Spital të Prishtinës brenda hapësirave të QKUK-së. Nuk është se nuk e dinë shkruesit e programit si duhet të jetë por pavendosmëria e tyre është tek pyetja KUSH DO T’i menaxhojë paratë për ndërtimin e tij dhe kush do të emërojë drejtuesit e këtij spitali.
Në këtë program është shpërfillur plotësisht ajo çfarë është parësore e Ministrisë së Shëndetësisë politikat e shëndetit publik. Në një paragraf të vetëm përmenden epidemitë, uji, ajri, tokë etj. Pa sqaruar e programuar çfarë do të bëhet me ato që janë tashmë rreziqet kryesore në këtë vend. Ndotja e ajrit dhe uji i pijshëm i kontaminuar ose pa cilësi si dhe ndotjet enorme nga sektori privat i Industrisë si Ferronikeli dhe Sharrcemi, por jo vetëm.
Për fund, Programi i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit thotë se do të afrojë mjekët eminentë nga diaspora jonë për të bashkëpunuar në Kosovë.
Së pari nga Kosova janë larguar rreth 100 mijë qytetarë prej tyre 400 mjekë.
Së dyti nga rastet e pakta që kanë ardhur në Kosovë për të ndihmuar kanë përfunduar si doktor Dalladaku me qendrën e kardiologjisë në oborr të QKUK-së e cila u nis për repart brenda QKUK-së dhe përfundoi si SHPK e cila iu shit Ekrem Llukës e ky ja shiti Spitalit Amerikan. Proces me plot dallavere të përkrahura nga Hashim Thaçi në 2009 e të nisura nga kryeshefi i Prishtinës në atë kohë Sami Hamiti. Rast për të cilin as nuk guxoni të flisni as ju këtu e as Ministri i Shëndetësisë e as drejtuesit e QKUK-së.
Në ky rast, pra spitalit privat brenda QKUK, FARMEDI ndërtesa me kushtet optimale në gjithë Kosovën për ruajtjen e barnave e privatizuar nga Bexhet Pacolli e përdor me qira nga EULEX, që tani po përgatitet për t’u marrë nga Spitali tjetër privat, ndërtesa e parkingut në hyrje të QKUK-së që dalëngadalë po shndërrohet në ambiente që në një të ardhme të afërt të transformohet në ndonjë klinikë private.
Kjo është në fakt e vërteta e programit tuaj. Hegjemonia e PDK-së kundrejt asaj të LDK-së. Logjika e njëjtë, klane të ndryshme.