Jam shumë i nderuar dhe i lumtur, që sot po i hapim dyert e kësaj ndërtese e cila është realizuar në bashkëpunim me Federatën Botërore të Xhudos dhe Federatën e Xhudos së Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e rastit në inaugurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos së Kosovës, në Pejë.
Kryeministri Kurti iu falënderua të dy partnerëve të këtij projekti për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të xhudos në Kosovë.
“Bashkërisht, u kemi ndërtuar shtëpi të re kampionëve aktualë olimpik dhe kampionëve të tjerë të ardhshëm”, tha kryeministri duke shprehur besimin se Qendra Nacionale e Xhudos do të bëhet shtëpi edhe e shumë kampionëve të tjerë olimpikë.
Kryeministri njoftoi që projektet e tilla do të vazhdojnë, duke ndërtuar hapësira të tjera të reja përcjellëse, në të cilat, siç tha ai, do të presim sportistë vendorë e të huaj – krejt kjo, me qëllim të rritjes së rezultateve tona sportive dhe të promovimit të sportit si mekanizëm për ruajtjen e mirëqenies sonë shoqërore. “Le ta bëjmë sportin te ne, kulturë tonën”, shtoi ai.
Në përmbyllje të fjalës, kryeministri Kurti tha se është sfidë e jona e përbashkët që ta vazhdojmë traditën e sukseseve sportive në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se shtetet e rajonit, Evropës dhe të botës, tashmë e kanë kuptuar kapacitetin që ne e kemi.
“Nuk mund t’i befasojmë më. Është lufta jonë e radhës, t’i bëjmë të pranojnë vendin që e zë Kosova në hartën e botës”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. /2LONLINE.com/