Korrupsioni, krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit, janë ndër sfidat me të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi. Ndërsa, viti 2016-të do të jetë në skenarin më të mirë, viti që ne mund të pritet diçka më reale, sa i përket liberalizimit të vizave.
Kështu u tha në një konferencë për media, të institutit “KIPRED”, ku u prezantua Barometri për Sundimin e Ligjit në kuadër të projektit “Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës” .
Ariana Qosaj-Mustafa, hulumtuese në KIPRED e cila foli për sfidat dhe të gjeturat në terren, tha se korrupsioni dhe krimi, mbesin ndër sfidat më të mëdha. Ajo po ashtu pohoi se edhe pse ka iniciativa, ligje dhe mekanizma, problemi qëndron tek aspekti i vullnetit politik, i cili përveçse është deklarativ, nuk ka interesim në disa sfera, që institucionet të veprojnë drejtpërdrejtë.
“Nëse e marrim çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aty e kemi sfidën më të madhe. Ekziston vullneti deklarativ, mirëpo në anën tjetër nuk ka vullnet të mjaftueshëm për zbatim sepse nëse do të kishim institucione të forta që do ta luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin, atëherë radha do të iu vinte edhe njerëzve që janë në qeverisjen e tanishme, apo ata që janë në një elitë politike me të përfaqësuar në Kosovë. Në përgjithësi sfida më e madhe që e kemi parë ne, është zbatimi i ligjit dhe zbatimi i politikave. Edhe aty ku ka ligje, mendojmë që ende ka mangësi, për arsye se nuk është garantuar në mënyrë të mjaftueshme pavarësia e institucioneve, të cilat duhet të merren me hetime. Këtu mendojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës, e cila vepron me disa politika dhe plane të aksionit, mirëpo ka presion të jashtëzakonshëm. Por në anën tjetër nuk mund të ofrojë rezultate”, tha Mustafa.
Mustafa theksoi se ka mjaftë sfida për t’i plotësuar kriteret e BE-së, për liberalizimin e vizave, pasi që gjërat po ecin në një tempo tejet të ngadaltë. Ndërsa, pohoi se në bazë të kësaj tempo, në skenarin më të mirë, në vitin 2016 mund të pritet diçka reale sa i përket liberalizmit të vizave.
“Sipas tempos që ne e kemi vërejtur në zbatim, 2016 do të jetë në skenarin më të mirë, viti që ne mund të presim diçka më reale, në aspektin e liberalzimit të vizave. Edhe pse ka plotësime të shumta të kritereve, prapë mbesin shumë sfida dhe në zbatim të ligjeve dhe në praktikë por dhe me ndërtim të institucioneve, pavarësinë e tyre, që ata me mujt me kry punën e vet në këtë drejtim”, tha ajo.
Ajo po ashtu tha se edhe mos krijimi i institucioneve Kuvendit dhe Qeverisë, është duke ndikuar drejtpërdrejt dhe është sfidues në zbatimin e kërkesave të BE-së për liberalizmin e vizave. Ndërsa, si sfidë tjetër, ajo përmendi edhe mos gatishmërinë e institucionet lokale dhe BE-në, që të merren me rastet e korrupsionit të profilit të lartë.
Ndërkaq, Veton Mujaj, drejtor ekzekutiv i Syri Vizionit, tha se objektivat e këtij projekti kanë të bëjnë kryesisht me përfshirjen e kërkesave të BE-së, për qeverisje të mirë dhe integrimin e mëtutjeshëm evropian të Kosovës. Më këtë projekt, ai tha se do të bëhet monitorimi i gjashtë fushave kryesore të sundimit të ligjit në Kosovë, si demokracia, funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit, parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit me fokus rendin publik dhe sigurinë.
Ndërsa, rekomandimet për akteret relevant vendor dhe ndërkombëtar, janë zbatimi i ligjeve që mbetet sfida më e madhe, alkimi i fondeve, i mbështetjes dhe ngritjes së kapaciteteve, specializimi i gjykatësve dhe prokurorëve, që të merren me këto raste, si dhe dyfishimi i buxhetit për Prokurorinë Speciale, në mënyrë që të garantohet paanshmëria dhe pavarësia e organeve të hetuesisë.
Ndryshe, ky barometër për herë të parë është vënë sot në funksion dhe i cili ka përfshirë periudhën e hulumtimit Korrik-tetor 2014.