Sc Gjilani po vazhdon qëndrimin në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut, me shkas përgatitjet parasezonale. Edhe sot, gjilanasit e vazhduan rutinën stërvitore, të cilat po mbahen me nga dy seanca në ditë.
Ekipi i udhëhequr nga shtabi teknik, në krye me trajnerin e skuadrës Gentjan Mezani, stërvitjen e mëngjesit të sotëm e filluan me vrapim të lehtë dhe vijuan ato me ushtrime fizike dhe të qëndrueshmërisë.
“Futbollistët punën e vazhduan me top, ku punuan në ushtrime të ndryshme, të programuara nga trajnerët e skuadrës. Përveç zhvillimit dhe rikthimit të formës së duhur tek futbollistët, gjendja e tyre shëndetësore qëndron mjaftë stabile, meritë kjo e punës profesionale të cilën po e bëjnë shtabi teknik në bashkëpunim me doktorët dhe fizioterapeutët e klubit të Gjilanit”, thuhet në njoftimin e skuadrës gjilanase.
Kujtojmë se ditën e enjëte, Gjilani do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kontrolluese kundër kuq e zinjëve të Drenicës, sfidë e cila zhvillohet në Gjilan me fillim nga ora 17:00.