(2L ONLINE) – Gjilani fiton dhe dimëron në kreun e tabelës. Ashtu siç e kishte nisur me fitore ndaj Ulpianës (3:0), po e mbyll me fitore ndaj KEK-ut (2:1), stinorin vjeshtor në Ligën e Parë. Falë kësaj fitore ndaj elektricistëve, gjilanasit ngritën në kuotën e 34 pikëve dhe udhëheqin për momentin renditjen tabelare. Fitorja eventuale e nesërme e KF Llapit, që është e dyta me 31 pikë, mund ta bëjë atë kampion dimëror, por vetëm në saje të golaverazhit, sepse do të jetë me pikë të barabarta sa KF Gjilani.
Gjilani edhe njëherë dëshmon se është skuadër elitare pasi ka mposhtur njërën ndër konkurrentët e drejtpërdrejt për rikthimin në Superligë, KEK-un. Dueli i ka takuar gjilanasve që falë dy supergolave të realizuar nga Visar Sermaxhaj dhe Vllaznim Jashari në pjesën e parë kanë dhënë Gjilanit triumfin e radhës i cili i mbanë ata në kreun e tabelës.
Gjilani e mbyll një gjysmë edicion me mjaft sukses duke ndjerë vetën gjithnjë e më afër Superligës. Trajneri Musa Selimi mbetet i kënaqur me atë se çfarë kanë treguar futbollistë e tij gjatë kësaj ndeshje dhe gjithë këtij stinori.
‘’Kemi mbyllur një gjysmë sezone me mjaft sukses. Jam tepër i kënaqur me futbollistët e mi pasi po i tregojnë vlerat e skuadrës dhe mund të them lirisht se e kanë merituar pozitën në të cilën ndodhemi. Kanë kaluar për më tepër se 10 vite, me ç’rast Gjilani kishte këtë kuotë të pikëve pas 15 xhiros’’ ka thënë Selimi për Portalin 2L ONLINE.
Ndërkohë i pyetur nga portali ‘’2L ONLINE’’, për titullin kampion i cili mund të vendoset nesër në ndeshjen Llapi-Ballkani, Selimi u shpreh: ‘’Sa i përket ndeshjes së sotme mendoj se e kemi dominuar atë në tërësi dhe kemi fituar me meritë edhe pse me mjaft vështirësi ndaj një skuadre siç është KEK-u. Me këtë fitore e kemi vulosur titullin dhe mendoj se jemi kampion moral për këtë fazë të garave’’.
Super fitore me super gola
Gjilani ka regjistruar fitoren e 11-të për 15 xhiro sa janë zhvilluar në sezonin vjeshtor, ndërkohë kjo me Kek-un ishte më e ëmbla. Deri te kjo fitore gjilanasit erdhën pas dy super golave të realizuar nga Visar Sermaxhaj dhe Vllaznim Jashari. Goli i parë në ndeshje ka ardhur në minutën e 17-të, me ç’rast Sermaxhaj e ka detyruar Dedincën të nxjerrë topin nga rrjeta pas një goditjet tejet të fuqishme nga largësia.
Distanca prej 20 metrave ishte shkurtuar nga sulmuesi Vllaznim Jashari që me një gjuajtje precize e përplas ‘sferën’ drejt rrjetës. Nuk ka ndryshim deri në fundin e pjesës së parë dhe skuadrat drejtohen në dhomat e veshjes. Mysafirët u rikthyen në lojë me golin e realizuar nga Kurteshi tre minuta pasi filloi fraksioni i dytë.
Një gjuajte të Egzon Kurteshit nuk e percepton mirë Maloku duke e futur topin në rrjetën e tij sa për ti ofruar dramë kësaj ndeshje. Por, shpresa për një elektricistët nuk do të ktheheshin kot nga ky udhëtim shpejt do të venitej pasi nga minuta e 55 e lojës mbeten me një lojtar më pak në fushë, pasi nga loja përjashtohet mbrojtësi Ademaj pas dy të verdhëve.
Një lajm tjetër i keq për trajnerin Mentor Miftari vjen pas lëndimit të gardianit Flakron Dedinca i cili pas një dueli në ajër me një futbollist vendas mbetet i shtrirë dhe me autoambulancë dërgohet për në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Vendin e tij e zë Lugaliu i cili vihet në detyrë menjëherë pasi pret dy gjuajtjet e Jasharit në fundin e ndeshjes. Pas shtatë minutave shtesë ‘’bilbili’’ Gramoz Shala i jep fundit ndeshjes. Gjilani dhe Kek-u do të përballen sërish në mesjavë në kuadër të rrethit të parë të DigitAlb Kupës.
Përkundër humbjes, trajneri i elektricistëve Mentor Miftari mbetet i kënaqur me futbollistët e tij. ‘’Jam një trajner që gjithmonë kritikoj futbollistët për tu përmisuar edhe më shumë, ndaj këto kritika dua ti shfaqi edhe për këtë ndeshje. Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën që kemi treguar këtë edicion të vjeshtës por na mbetet ende punë për ti arritur qëllimet tona’’.
Gjilani – Kek-u 2:1
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 150
Gjyqtarë: G.Shala, N.Bala, D.Muriqi
KV: Mustafa – Ademaj, Behrami
KK: Ademaj (pas dy të verdhve)
Golashënues: Sermaxhaj 17’, Jashari 43’ – Kurteshi 48’
Gjilani: Maloku, Hyseni, Emini (Arifit), Kosumi, Maliqi, Mustafa, Shaqiri, Sermaxhaj (Ramadani), Jashari, Blakçorri (Morina), Ferati. Trajner: Musa Selimi.
KEK-u: Dedinca (Lugaliu), Preniqi, Ademaj, Pantina, Visoka, Hashani, Xhakalia (B.Behrami), Thaqi (Grajqevci), Simnica, J.Behrami, E.Kurteshi. Trajner: Mentor Miftari.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/