KF Ferizaji fitoi ndaj Dukagjinit të Klinës (2:0) dhe skuadra po lufton për mbijetesë, duke mos u dorëzuar në asnjë moment.
Tekniku gjilanasm Bekim Isufi, i cili drejton këtë skuadër foli pas ndeshjes, derisa theksoi se ka mbetur i kënqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij.
“Ishim të kujdesshëm pas rezultatit 2-0, megjithëse skuadra e Dukagjinit na ka rrezikuar shumë në pjesën e dytë. Në përgjithësi jam i kënaqur, sepse nuk ka ndodhur që ne këtë edicion të realizojmë dy gola në pjesën e parë. Kemi luajtur me ritëm, kemi krijuar raste dhe në fund me plotë meritë e kemi fituar ndeshjen”, deklaroi fillimisht Isufi.
Më pas ai bëri një analizë të shkurtër të këtij gjysmë edicioni, teksa tregoi pengun e madh që i mbeti në stinorin vjeshtor të kampionatit.
“Nuk mund të themi se kemi bërë diçka shumë të madhe, pavarësisht se shumë gjëra kanë ndodhur te FC Ferizaj. 15 pikë ishte objektivi jonë dhe këtë e kemi arritur, madje kemi edhe një ndeshje tjetër. Mund të them se më dhimbsen dy ndeshje si vendas që i kemi humbur, ky ishte maksimumi ynë që kemi mundur të bëjmë në këtë gjysmë edicion. Faza e fundit kampionale është për tu lavdëruar, pasi që lojtarët janë liruar nga presioni dhe kanë treguar kapacitetin e tyre. Por, marrë në përgjithësi mendoj se ky është kapaciteti ynë”, përfundoi tekniku gjilanas.
Tashmë Ferizaj është ngritur në kuotën e 15 pikëve, por vazhdon të mbetet në pozitën e nëntë.
Në kuadër të xhiros së 17-të, e cila njëherit shënon përfundimin e stinorit vjeshtor të kampionatit, Ferizaj takohet me Drenicën në udhëtim.