Sot ka nisur zyrtarisht edicioni i ri i garave në futboll në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa dy klubet gjilanase, Kf.Drita dhe Kf.Gjilani do të takohen me kundërshtarët e tyre ditën e diel, nga ora 17:00.
Drita e pret Kf.Ferizajin në shtëpi në ndeshjen e javës së parë dhe kjo është një mundësi e mirë për tifozët gjilanas që ta shohin nga afër klubin e zemrës në ndeshjen hyrëse në kampionat.
Kjo nuk vihet në diskutim, pasi “Intelektualët” e Dritës tashmë kanë nisur përgatitjet dhe janë të gatshëm për një edicion të ri.
Ata kanë publikuar gjatë tërë javës fotografi dhe video nga atmosfera e tyre si tifo-grup, duke premtuar se spektakle të tjera do të vazhdojnë të sjellin edhe këtë vit.
“Për një entuziazëm dhe atmosferë të tillë si kjo skuadra jonë e zemrës të dielën në ndeshjen hapëse të sezonit ka nevojë më shum se kurrë. Ne kemi qenë, jemi dhe do mbesim gjithmonë lojtari i 12-të i Dritës dhe këtë duhet ta dëshmojmë në vazhdimsi. Të bashkuar dhe të pandalshëm, vetëm kështu mund ti arrijmë qëllimet tona në tribinë, andaj këtë fundjavë ftohet çdo tifoz i yni të jetë mbrapa transparentit tonë për të mbështetur dhe mos lënë vetëm krenarinë e qytetit, dashurinë tonë të përjetshme.
Mblidhemi nga ora 15:00 në Champions Bar për ta filluar festën!!
Jetojmë për ty, fito për ne”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të Intelektualëve.