(2L ONLINE) – Klubi futbollistik Drita nga Gjilani përmes një komunikate, ka bërë me dije për dorëheqjen e Kryetarit të klubit Ramadan Bunjaku. Në një takim të thirrur nga Besim Ismaili, kryetar i Bordit të KF Drita, është kërkuar të njoftohet me punën e deritanishme të Kryetarit të klubit Ramadan Bunjaku dhe për zhvillimet e përgjithshme, gjendjen në klub e të tjera.
Siç bëhet e ditur, pas një diskutimi të gjatë dhe konstruktiv është kërkuar llogaridhënie nga Bunjaku për mospërmbushjen e objektivave të cilat i pat premtuar para se të bëhet kryetar. Bordi ka konstatuar se Bunjaku nuk i ka kryer përgjegjësit që i ka marrë mbi supe të veta, që kur u bë kryetar dhe kërkoi nga ai të ofroj dorëheqjen , gjë që edhe u bë nga ana e Bunjakut.
“Ju kujtojmë se të gjitha vendimet që janë marrë deri tani , që të gjitha do të rishikohen me përpikëri deri më një. KF. Drita do të vazhdojë punën gjatë ditëve në vijim me intensitet edhe më të lartë, ku deri në zgjedhjen e kryetarit të ri do të udhëhiqet nga bordi i klubit”, thuhet në komunikatën në fjalë.
Ndryshe, zgjedhja e Bunjakut kryetar i KF Drita, ishte bërë në fund të qershorit ku ky klub kishte mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku ishin zgjedhur strukturat për menaxhimin dhe organizimin e klubit. Delegatë të pranishëm në këtë Kuvend për Kryetar të bordit kishin zgjedhur Besim Ismailin dhe nënkryetar Islam Rashiti, derisa për kryetar të klubit dhe nënkryetar kishin zgjedhur Ramadan Bunjakun dhe Selver Xhelilin, kurse në ditët në vijim ishte lënë të zgjedhet edhe kryesia e klubit në konsultim me bordin.
Por, nuk u bënë as tri javë dhe erdhi deri tek dorëheqja e Bunjakut nga posti I kryetarit të Klubit.
Përndryshe, Besim Ismaili kryetar I Bordit kishte thënë me atë rast se prioritet do të jetë organizimi sa më i mirë i shkollës së futbollit, bashkëpunimet me skuadrat nga rajoni, transparenca dhe organizmin i klubit që në kampionatin e ardhshëm të jenë sa më kompakt dhe të shkojnë drejt suksesit. /2L ONLINE/