Këtë të shtune, më 26 maj 2018, ora 12:00, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, do të mbahet akademi përkujtimore, në 40 vjetorin e vrasjes së atdhetarit e poetit tonë, Rexhep Elmazit.
Paraqitet poezia e tij e zgjedhur “PSHERËTIMA SHIU”, nga studiuesi prof. dr. Anton Nikë Berisha
Për veprimtarinë atdhetare të Rexhep Elmazit do të flasin: Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, Bajram Kosumi, rektor i Universitetit të Gjilanit, Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës.
Deklamojnë poezitë e Rexhep Elmazit: Ramadan Kurti e Xhezide Selimi.
Drejtues i Akademisë përkujtimore: Mr. Tahir Arifi, studiues i veprës së rexhe Elmazit.
Pjesa muzikore: Kori i shkollës fillore “Rexhe Elamzi”.
Rexhep ELMAZI
NJERIUT QË E HËNGRI TOKA E VERDHË
Shumë ditë kanë hyrë mes meje e teje
ti në amshim e unë në rrugë
por unë i tëri jam bërë trung foleje
ku cicëron ti si zog zëlehtë
më dole pas shpine që të mos shoh dot kurrë
një-një u bëre me të ziun dhé
edhe sot më tingëllojnë fjalët e tua burrërore
ndonëse trup e fytyrë ishe si një fëmijë!
u shtange duke buzëqeshur
si t’ishe zemërgur as qerpiku s’të luajti
vërtet një nënë e lë të shkretë e një motër të re
por të qau gjithkush dhe jo vetëm ai
që me ty bashkëvuajti
Pas shpine kur ike para na dole
një shkuarje e çuditshme me gjurmë të përhershme
ata që të panë edhe sot pyesin me gojën plot
si shkoi vallë aq i heshtur pa thënë njëherë dhembjen
Çdo çast që shkon çdo natë çdo muaj
ti nuk ik kah harresa kah zvetënimi
çdokush mundohet prej teje diçka të ruajë
kush fjalën kush punën e çdokush qëndrimin!
Trupi yt shpejt u kthye në dhé
por fytyra s’të kalbet se e ke me ne!