(2L ONLINE) – Gjilanasit tregohen shumë të interesuar për të nënshkruar peticionin kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ata thonë se janë të revoltuar që dëshirohet të shtrenjtohet një produkt që edhe ashtu është shtrenjtë dhe i cili do të prekë keq shumicën e familjeve kosovare, që edhe ashtu gjendja ekonomike-sociale e tyre është jo e mirë.
Siç bëjnë të ditur qytetarët që po e nënshkruajnë peticionin, ky shtrenjtim nuk duhet assesi të lejohet sepse do t’u rëndohet jetesa edhe ashtu jo e mirë.
Ibrahim Memeti, një qytetar gjilanas, tha për 2L ONLINE, se ma keq nuk ka ku të shkon më. “Rryma që është shtrenjtë do me u bë edhe ma shtrenjtë. Këta dojnë me na mbytë krejt”, tha i revoltuar ai. Ndërsa, teksa nënshkruante peticionin, në një lokal afër, dëgjohej zhurma e agregatit, që ishte tregues se rrymë nuk kishte, e Mehmeti, duke iu referuar kësaj, theksoi se ky është një lloj presioni.
“Shihe si e ndalin rrymën tani. Ani mediat po thonë që dimrit ka me qenë edhe ma zi. Ky është presion me heshtë ne, para tentimit me u rrit çmimi”, tha Mehmeti.
Zijadin Hasani, një qytetar tjetër që nënshkroi peticionin tha për 2L ONLINE, se është kundër shtrenjtimit të rrymës dhe se duhet të ngritët zëri i qytetarëve për të mos lejuar të jetësohet një kërkesë e tillë e KEDS-it.
“Kjo as në perëndim nuk ndodh. Atje edhe nxehen me rrymë dhe prapë nuk u vije kaq shtrenjtë rryma sa na vije neve këtu, që vetëm amvisërinë e nevojshme e përdorim. Ndërsa po duan ta shtrenjtojnë edhe më shumë rrymën kjo është absurde. Kjo e rëndon edhe më shumë jetën e rëndë të qytetarit”, ka thënë Hasani.
Edhe të tjerët thanë se rryma edhe tani është shtrenjtë dhe mezi po e paguajnë sepse janë edhe harxhimet tjera e le më nëse rriten faturat.
Ndërsa, siç bëjnë të ditur përfaqësues të OJQ KCIC nga Gjilani, gjilanasit janë duke treguar gatishmëri për të nënshkruar peticionin në fjalë dhe se deri më sot kur është dita e tretë që ata janë përqendruar vetëm në një pikë, janë mbledh rreth 2 mijë nënshkrime.
Hekuran Aliu, menaxher i programeve rinore pran OJQ “KCIC”, e cila është partnere e organizatave që kanë organizuar këtë peticion, ka bërë të ditur për 2L ONLINE, se kanë vetëm një pikë dhe edhe disa vullnetarë në lëvizje për t’iu ofruar mundësia të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të nënshkruajnë këtë peticion dhe se interesimi i tyre është tejet i madh.
Aliu tha se vetëm me një pikë është tejkaluar parashikimi pasi janë mbledh rreth 2 mijë nënshkrime dhe ashtu siç po shkon, ky numër do të rritet akoma, ndërkohë që duke parë interesimin e qytetarëve, ai tha se po të kishin bërë edhe pika tjera sigurisht se ky numër do të ishte dyfish a trefish më i lartë.
Por, duke llogaritur se edhe në qendrat tjera nënshkruhet peticioni i tillë dhe se nevojitet 10 mijë nënshkrime, vlerësohet se Gjilani ka tejkaluar nevojën dhe bashkë edhe me nënshkrimet tjera peticioni do të jetë i gatshëm për nesër dhe do të kryhen pastaj procedurat tjera që peticioni t’i adresohet Kuvendit të Kosovës.
Aliu tha se qytetarët që po e nënshkruajnë peticionin, e kanë mirëpritur këtë peticion sepse ata janë të revoltuar që rryma është shumë shtrenjtë dhe po synohet të shtrenjtohet edhe më shumë e që do ti godet rëndë familjet kosovare që edhe ashtu janë në ksuhte jo të mira ekonomiko-sociale.
Përndryshe, ky aksion i nënshkrimit të peticionit në fjalë është organizuar nga Koalicioni i Qytetarëve konsumatorë, Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare, i përbërë nga afro 70 subjekte joqeveritare dhe sindikale dhe po organizohet aktualisht në 9 komuna: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Obiliq dhe Klinë. /2L ONLINE/