Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm, duke lënë dhjetra të vdekur dhe qindra të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.
Gjatë ditës së marte qytetarët e Gjilanit dëshmuan për shpirtin solidar, duke u bashkuar me iniciativën e tifozëve “Intelektualët”, të cilët në mbrëmje nisën rreth 30 kombi me ndihma për në Shqipëri, shkruan 2LONLINE.com.
E këtë angazhim ata nuk e ndalën as gjatë ditës së mërkurë, duke grumbulluar mjete financiare, produkte ushqimore, batanije, veshmbathje, pije dhe të tjera që nga mëngjesi.
Kështu, “Intelektualët” bashkë me bashkëpuntorë të tjerë vullnetarë mesditën e së mërkurës nisën për Shqipëri 4 kombi të tjerë.
Një nga tifozët ‘bardhëekaltër’, Jeton Rashiti njoftoi se janë të befasuar për të mirë nga bashkëqytetarët, të cilët nuk po ndalen së dhuruari ndihma.
“Kemi vazhduar grumbullimin edhe sot. Është vërtetë kënaqësi dhe përtej pritshmërive. I kemi nisur paraditë 4 kombi dhe tani është ora 16:00 e pasditës dhe kemi një sasi të madhe të grumbulluar përsëri. Ne do të vazhdojmë deri sa të kemi mundësi në ndihmojmë dhe deri kur qytetarët tanë në kërkojnë. Gjithashtu, edhe paratë e grumbulluara do të dorëzohen ndërsa do të blejmë edhe produkte shtesë ushqimore dhe barna që na kërkojnë nga Shqipëria. Jemi krenar me nismën dhe nuk do të ndalemi”, ka thënë ndër të tjerash Rashiti.
Gjatë ditës shumë qytetarë të vullnetit të mirë ndihmonin me aq sa mundnin, ndërsa tashmë e kishin adresën e sigurt, pranë Teatrit të Qytetit.
Qytetarë me vetura private zbarkonin shumë ndihma, veshmbathje, pije e produkte ushqimore. Njëri nga ta ishte një qytetarë në moshë, pensionist, i cili nuk deshi të identifikohet, por dhuroi 100 euro në arkën e ndihmave.
Fjalët e tij për 2LONLINE.com ishin: “Kam kushtet mesatare dhe kam vendosur që 100 euro nga pensioni im i fundit ta dorëzoj këtu. Kaq pata mundësi”, tha pensionisti.
Ndërkohë, një familje gjilanase që kontribuoi me disa ndihma kishte shkruar një letër, me synim që ajo të lexohet nga bashkëkombasit në Shqipëri.
Organizatorët njoftuan se po kujdesen që destinimi i mjeteve dhe ndihmave të shkoj në vendin e duhur dhe sot kanë nisur shpërndarjen më herët.
Ndërsa po vazhdojnë grumbullimin deri në ora 19:00 të mbrëmjes./2LONLINE.com/.