(2LONLINE) – Këshilltarët Komunal të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë braktisur seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit të pakënaqur me kryesuesen e KK-së e cila, në vazhdimin e punës pas një pauze pesë minutash, përmbylli pikën ku diskutohej për informatën e kreu të komunës së Gjilani dhe të drejtorëve për 100 -ditshin e qeverisjes lokale, por kërkoi të vazhdohet tutje me pikën tjetër të rendit të ditës.
Nga kjo u revoltuan këshilltarët e PDK-së. Riad Rashiti tha se nuk pati paralajmërim para pauzës se kjo pikë do të përmbyllet dhe se do të duhej tu jepej fjala , aq më parë kur kanë të drejtën e replikës pasi përgjatë diskutimeve, para pauzës, janë potencuar emrat e tyre.
Por, kryesuesja e KK Valentina Bunjaku-Rexhepi ishte e vendosur për të përmbyllë këtë pikë, pasi , siç tha ajo, u shter ajo pikë pasi shumë nga ta e kishin marr fjalën edhe nga dy tri herë dhe se ajo pikë u përmbyll me fjalën e kreut të komunës.
Në anë tjetër , Rashiti i PDK-së vazhdonte të insistonte se kryesuesja nuk po e respekton rregulloren e cila rregullore parasheh atë që e kërkonte ai dhe nga kjo situatë kur të dyja palët (këshilltarët e PDK-së dhe kryesuesja e kuvendit), insistonin skajshmërisht në qëndrimet e tyre rezultoi me atë që këshilltarët e PDK-së braktisën sallën.
Përndryshe, Kuvendit vazhdoi punimet me një informatë të përfaqësuesit të Policisë së Kosovës, përkatësisht komandantit të stacionit policor Remzi Azemi. /2lonline/