Në mbledhjen e mbajtur të martën ndër të tjera janë shqyrtuar edhe kërkesat e klubeve sportive që kanë aplikuar në konkursin e Komunës së Bujanocit, tashmë të mbyllur, për mjete financiare.
Klubi i basketbollit “Play 017”, i futbollit “Rota” dhe “BSK” si dhe Asociacioni i karates “PMB” nga Bujanoci , janë klubet sportive, ankesat e së cilave kanë marrë përgjigje negative nga anëtarët e Këshillit Komunal në Bujanoc.
Siç ka mësuar portali informativ Titulli.com, këto klube, pjesëmarrëse në konkursin e Komunës së Bujanocit, nuk janë ndarë të kënaqura me shumën e ndarë, andaj edhe kanë vendosur të ankohen.
Klubi i futbollit “Talentët” nga Levosoja dhe i shahut “Jug” nga Bujanoci, kanë marrë përgjigje pozitive në ankesat e tyre për rritjen e mjeteve buxhetore.
Në këtë seancë të gjashtë të Këshillit Komunal të Komunës së Bujanocit për shqyrtim dhe aprovim u paraqitën 24 pika të rendit të ditës, mes tyre edhe raporti i punës dhe financiar i ndërmarrjes publike “Komunalia”, “Drejtoria për Ndërtim”, qendrës sportive “Rinia”, për vitin 2014.